LAJMI I FUNDIT:

Pas vendosjes së taksës 100% për prodhimet e Serbisë, rritet deri në 20% prodhimi vendorë i blloqeve, letrës, ujit, vajit e barnave

Pas vendosjes së taksës 100% për prodhimet e Serbisë, rritet deri në 20% prodhimi vendorë i blloqeve, letrës, ujit, vajit e barnave

Vendosja e taksës prej 100 për qind për prodhimet nga Serbia dhe Bosnja e Hercegovina, është e treguar hap i qëlluar për rritjen e konsumit të prodhimeve të Kosovës. Këto janë bërë të ditura në hapjen e panairit të Agrobiznesit “Shporta jonë” të organizuar nga Oda Ekonomike e Kosovës (OEK).

Po ashtu u tha se disa prodhime vendore kanë shënuar rritje deri në 20 për qind.


Kryeministri Ramush Haradinaj, ka inkurajuar prodhuesit kosovarë për krijimin e lidhjeve të bizneseve për promovim të produkteve vendore dhe potencialin ekonomik në vend.

“Ne kemi për qëllim zvogëlimin e importit të produkteve ose zëvendësimin e produkteve nga importi me produktet tona. Taksa 100 për qind nuk duhet parë si mundësi për rritje të çmimeve por për të rritur prodhimin dhe cilësisë, por mbështetje për prodhuesit”, ka thënë Haradinaj.

Ai ka bërë të ditur se shitja e disa prodhimeve vendore pas taksës janë rritur deri në 20 për qind.

“Prodhimi i blloqeve për ndërtim është rritur për 20 për qind, përpunimi i letrës higjienike për 40 për qind, kemi rritje të theksuar të prodhimit të lëngjeve, vajit, ujit, mishit të pulës për 10 për qind po ashtu edhe prodhimi i barnave është rritur për 10 për qind”, ka treguar Haradinaj.

Ai ka shtuar se është rritur konsumimi i prodhimeve vendore, që prej vendimit të Qeverisë së Kosovës për vendosjen e taksës ndaj produkteve me origjinë nga Serbia e Bosnja e Hercegovina, shkruan Telegrafi.

“Në sektorin e prodhimit janë 829 ndërmarrjeve të reja, ose 14.5 për qind më shumë, ndërsa në sektorin e informacionit janë regjistruar 377 të reja ose 12.9 për qind më shumë”, tha Haradinaj.

Ministri i Tregtisë dhe Industrisë Endrit Shala, me qëllim të promovimit të produkteve të Kosovës, ai ka ftuar qytetarët që të shfrytëzojnë prodhimet vendore.

“Ne si Qeveri jemi të përkushtuar për mbështetjen e prodhimeve “Made in Kosova”, për nevoja të Kosovës dhe për eksport”, theksoi Shala.
Ai ka shtuar se një ndër prioritet është edhe rritja e cilësisë së produkteve vendore.

Ndryshe Qeveria e Kosovës më 21 nëntor ka vendosur taksën prej 100 për qind, për produktet e importuara nga Serbia e Bosnja e Hercegovina. /Telegrafi/