Kohëve të fundit kemi qenë dëshmitarë të disa zhvillimeve në skenën politike të Kosovës. Parti të ndryshme politike kanë vendosur ta kristalizojnë identitetin e tyre politik.

Një profilizim i ngjashëm duket se po ngjet edhe në shoqërinë civile të vendit, por për dallim nga ajo e para, pozicionimi është i karakterit fetar. RTK-ja në vazhdimësi ndan hapësirë të mjaftueshme mediale që komuniteti mysliman t’i prezantojë qëndrimet politike, besimet dhe ritet veta. Para pak ditësh RTK-ja vendos t’i ofrojë kreut të Bashkësisë Islame të Kosovës (BIK) z. Naim Tërrnava hapësirë të nevojshme mediale për shpalljen e këtij të fundit, planet e tij për Kosovën. Z. Tërrnava madje përmes këtij mediumi publik, i cili sipas rregullores së vet të punës duhet të jetë i paanshëm dhe i barabartë, publikisht deklarohet që synimet e tij do t’i arrijë me çdo kusht.

Ndërkohë kur Kisha Protestante Ungjillore e Kosovës kërkon trajtim të barabartë mediatik, qarqe të caktuara brenda RTK-së ua mohojnë një gjë të tillë besimtarëve Protestantë. Për këtë gjë transmetuesi publik ishte kritikuar disa herë nga institucione të ndryshme.

Ajo që e bën gjendjen akoma më alarmante është rreshtimi i z. Behxhet Shala, drejtorit ekzekutiv të Këshillit për Mbrojtjen e të Drejtave dhe Lirive të Njeriut të Kosovës (KMLDNJ) pas fushatës së Naim Tërrnavës.

Isha në mëdyshje nëse duhej reaguar ndaj një shkrimi të tillë, por për shkak të respektit të madh për institucionin që zotëriu përfaqëson, vendosa ta tregoj anën tjetër të medaljes. Në artikullin “Kisha, katedralja dhe xhamia, Vatikani, Kosova dhe Serbia” nuk është aspak problematik besimi i zotëriut, sepse një gjë e tillë është e garantuar me të gjitha konventat ndërkombëtare. Ajo që është tejet shqetësuese është braktisja e pragmatizmit dhe racionalitetit si dhe mundësia e shndërrimit të KMLDNJ-së në bastion islamik.

Edhe pse në artikullin në fjalë autori deklarativisht shprehet si mos paragjykues ndaj feve tjera, përmbajtja e shkrimit dështon për ta pasqyruar një gjë të tillë. Derisa pajtohem se në Kosovë janë ndërtuar faltore politike – pa dallim të ndonjë komuniteti të caktuar fetar – nuk është aspak i drejtë sulmi ndaj gjithçkaje krishtere dhe “ngatërrimi” që i bëhet Krishterimit.

Meqenëse ai veç e ka marrë përsipër rolin e një zëdhënësi, ndoshta do të ishte mirë sikur të angazhohej si një emisar që komunitetet fetare t’ia paguajnë detyrimet e veta të tatimit të mbajtur në burim në paga (obligim qytetar) shtetit të Kosovës, gjë të cilën po refuzojnë ta bëjnë.

1. z. Behxheti shpreh mllefin e tij se si BIK-u është viktimizuar sepse nuk iu paska ndarë ndonjë parcelë për ndërtimin e qendrës islamike në qendër të Prishtinës. Duket se autori ka harruar plotësisht se për kaq shumë vite Kisha Protestante kërkon ndonjë parcelë për varreza për besimtarët e vet dhe i mohohet kjo e drejtë sublime. Besimtarët protestantë në Kosovë jetojnë si Protestantë dhe duhet të varrosen si kinse pjesëtarë të ndonjë përkatësie tjetër fetare.


2. z. Behxheti shpreh mllefin se si u diskriminuakan besimtarët myslimanë në Kosovë. Duket se është anashkaluar fakti se që nga pas lufta, në Kosovë janë ndërtuar mbi 400 xhami të reja. Në shumë raste edhe nëpër vendbanime ku tashmë ekzistonte një e tillë. Sa i përket origjinës së fondeve, kjo mbetet kompetencë e organeve gjegjëse. Autoritetet tona në vazhdimësi kanë refuzuar lëshimin e lejeve të ndërtimit për Kishë Protestante.

3. z. Behxheti shpreh mllefin e tij se si xhamitë e reja janë ndërtuar kryesisht jashtë Prishtinës. Ndërkohë i keni mbetur borxh opinionit të gjerë për t’ia treguar tërë të vërtetën. Ju e dini se një pjesë e këtyre xhamive janë ndërtuar mbi prona të uzurpuara publike. Autoritetet e vendit nuk e kanë ndërmarrë asnjë hap për kthimin e këtyre pronave.

4. z. Behxheti shpreh mllefin se si myslimanët në Kosovë janë në “defanzivë”. Si për ironi një pohim i tillë vjen pikërisht në kohën kur mediat tona rregullisht raportojnë për sulme që “mbrojtësit e Islamit” u bëjnë njerëzve të ndryshëm, e tash së fundi duke e zgjeruar projektin edhe kundër gazetave. Të shohim kush është caku i radhës!?

5. z. Behxheti shpreh mllefin e tij se si politikanët tanë u votuakan nga besimtarët myslimanë. Republika e Kosovës, në të cilën kaq shumë thirret ky artikull, para së gjithash sipas akteve të veta themeltare është Republikë sekulare. Keni harruar plotësisht se sipas Ligjit mbi Lirinë e Fesë, në Kosovë janë të pranuara pesë komunitete fetare. Më lejoni t’u kujtoj se përveç këtyre komuniteteve, në Kosovë ka edhe një komunitet të tërë afetarësh. Rrjedhimisht, ka të ngjarë që shifrat tuaja të paverifikuara të jenë të gabuara.

6. z. Behxheti e quan fantazmë fundamentalizmin islamik. Para mëse 15 vitesh kur nga qarqe pan-sllaviste Kosova portretizohej si vend i “fundamentalistëve të bardhë islamikë”, Kisha Protestante e pati quajtur idenë e ekstremizmit islamik në Kosovë si shpikje serbe. Sot këto qarqe megjithatë ia kanë dalë që nga Kosova të eksportojnë terroristë.

Prandaj, në mënyrë që KMLDNJ-së t’i ndërpritet degradimi i mëtutjeshëm;
Prandaj, në mënyrë që KMLDNJ-së t’i kthehet nami i dikurshëm;
Prandaj, meqenëse edhe ashtu deklaroheni si praktikues i fesë islame,
...më lejoni se si bashkëqytetar juaji t’ju inkurajoj që ta zhvishni petkun humanitar dhe ta vishni atë fetar. Ndoshta në këtë mënyrë ju do të jeni ndihmesë më e madhe për fenë tuaj. Ndërkohë, si një besimtar i vërtetë, vendin tuaj t’ia lëshoni një profesionisti; dikujt që është politikisht dhe fetarisht i paanshëm.

(Autori është Pastor dhe Ligjërues i Teologjisë)