Trajneri i FC Shkupit, Minas Osmani, ka bërë të ditur se ka përfunduar bashkëpunimin me klubin, duke dhënë dorëheqje pas pesë viteve angazhim në ekipin e parë, njofton Telegrafi

Në njoftimin e tij publik, Osmani thekson se vendimi vjen pas një periudhe të gjatë sakrifice, përkushtimi dhe pune profesionale në kushte të vështira, duke përmendur edhe faktin se për më shumë se një vit nuk janë realizuar obligimet financiare ndaj tij.


Pavarësisht këtyre sfidave, Osmani shprehet se ka dhënë maksimumin për klubin, lojtarët dhe tifozët, duke e përfaqësuar FC Shkupin me korrektësi dhe ndershmëri profesionale.

Ai ka falënderuar bashkëpunëtorët, futbollistët dhe tifozët “Shvercerat” për mbështetjen e vazhdueshme gjatë këtyre viteve, duke i uruar klubit suksese në vazhdim.

Kujtojmë se disa ditë më parë largimin nga FC Shkupi e ka bërë të ditur edhe kapiteni i skuadrës, Suhel Muharemi, ndërsa kjo situatë vjen në një periudhë krize të thelluar për ish-kampionin e Maqedonisë së Veriut, FC Shkupi.

Shkupi sezonin e ka mbyllur me vetëm një pikë të fituar nga 16 ndeshje të luajtura, ndërsa kryesia e klubit në asnjë moment nuk është bërë “e gjallë” për të dalë qoftë edhe me një njoftim publik lidhur me krizën e rëndë që po kalon ky klub. /Telegrafi/

telegrafi sport app