Rusia mund të nxitet për t'i dhënë fund luftës së saj në Ukrainë në këmbim të marrëveshjeve të ardhshme ekonomike me SHBA-në, thotë Shtëpia e Bardhë.

Megjithatë, sekretarja e shtypit në Shtëpinë e Bardhë, Karoline Leavitt theksoi dje se marrëveshje të tilla do të vijnë vetëm pas një armëpushimi në Ukrainë dhe jo më shpejt, transmeton Telegrafi.


Ajo tha se i dërguari i SHBA, Steve Witkoff, i cili u takua me Vladimir Putinin për herë të tretë javën e kaluar, ia ka bërë tashmë të qartë këtë liderit rus.

"Ka një nxitje për Rusinë që t'i japë fund kësaj lufte dhe ndoshta kjo mund të jetë partneriteti ekonomik me SHBA", tha ajo.

“Por ne duhet të shohim fillimisht një armëpushim dhe presidenti dhe i dërguari presidencial ua bënë këtë shumë të qartë rusëve”, shtoi Leavitt.

Ajo nuk specifikoi ndonjë marrëveshje të mundshme ekonomike, duke thënë se ajo nuk donte të kalonte përpara negociatave zyrtare.

Një ditë më parë, Witkoff tha për Fox News se ai pa mundësinë e "riformësimit" të marrëdhënieve Rusi-SHBA përmes disa "mundësive tregtare shumë bindëse".

Kjo mund të sigurojë "stabilitet të vërtetë për rajonin", shtoi ai. /Telegrafi/