LAJMI I FUNDIT:

Partitë nga radhët e komuniteteve, të ndara rreth shtyrjes së zgjedhjeve lokale

Partitë nga radhët e komuniteteve, të ndara rreth shtyrjes së zgjedhjeve lokale

Partitë nga komunitetet jo shumicë kanë shprehur qëndrime të ndryshme rreth shtyrjes së zgjedhjeve lokale.

Derisa nga Partia e Re Demokratike kanë deklaruar se zgjedhjet duhet të mbahen në pranverë, nga Partia e Ashkalinjve për Integrim e kanë quajtur të pakuptimtë idenë e shtyrjes.


Zëvendëskryeministrja e Kosovës, njëherësh kryetare e subjektit politik Partia e Re Demokratike, Emilia Rexhepi ka deklaruar se janë pro shtyrjes së zgjedhjeve deri në pranverë.

Ajo pas takimit që ka pasur me presidenten Vjosa Osmanit rreth diskutimit të rekomandimit të IKSHPK-së për shtyrje të zgjedhjeve, ka mohuar se qëndrimi i saj është në linjë me atë të kryeministrit Albin Kurti.

“Kemi pasur qëndrime të ndryshme, disa parti politike janë për zgjedhje, disa nuk janë. Ne jemi për të mos pasur zgjedhje, për të respektuar kërkesën e mjekëve. Ne nuk jemi për të shtyrë për një muaj se koha e dimrit dhe mos të maltretojmë qytetarët se situata është keq për pandeminë, ne jemi për të shtyrë zgjedhjet për pranverë… Jo, jo ky është vendim i partive politike të ndryshme të komuniteteve”, tha ajo.

Por, ndryshe është shprehur Qazim Rrahmani nga Partia e Ashkalinjve për Integrim, i cili u shpreh kundër shtyrjes së zgjedhjeve lokale.

“Deklaruam që jemi kundër shtyrjes së zgjedhjeve për afatin të cilit këta mendojnë. Mendojmë që ne si Kosovë kemi kaluar zgjedhjet e 14 shkurtit gjatë pandemisë dhe një përvojë të tillë KQZ dhe Kosova e ka treguar që mund ta realizojë zgjedhje edhe gjatë pandemisë. Këtë qëndrim e ofruam edhe te presidentja që duhet të mbahen zgjedhjet, por propozuam që fushata të mbahet në mënyrë online apo fushatë të mos ketë fare”, tha Rrahmani.

Presidentja Vjosa Osmani ka takuar sot përfaqësuesit e subjekteve politike shqiptare dhe ato nga komunitetet jo shumicë për të diskutuar rekomandimin e IKSHPK-së për shtyrje të zgjedhjeve lokale. Ajo ka thënë se nuk ka pasur pajtim për shtyrjen e datës dhe se zgjedhjet lokale do të mbahen më 17 tetor.kp/Telegrafi/