LAJMI I FUNDIT:

Paradoksi universitar me Arben Hajrullahun

Paradoksi universitar me Arben Hajrullahun

Kandidati për zgjedhjen profesor në Fakultetin Filozofik të Universitetit të Prishtinës “Hasan Prishtina”, Arben Hajrullahu, është rekomanduar nga kryetari dhe njëri anëtar i Komisionit Recensues për thirrjen e profesorit të rregullt në Departamentin e Shkencave Politike.

Mirëpo, Këshilli i këtij Fakulteti ka rekomanduar që të rishpallet konkursi për pozitën e tij, duke kërkuar nga Hajrullahu që t’i dëshmojë studimet Bachelor, me pretendimin që nuk i ka të kryera, shkruan sot “Zëri”.


Fakulteti Filozofik i Universitetit të Prishtinës (UP) ka sqaruar në një njoftim të tij se profesori Arben Hajrullahu nuk ka dorëzuar diplomë të studimeve Bachelor ose barasvlerën përkatëse të këtyre studimeve.

I rishpallet konkursi profesorit që ka kryer post-doktoratën në SHBA
Lexo po ashtu I rishpallet konkursi profesorit që ka kryer post-doktoratën në SHBA

Ndonëse është ankuar për këtë në Rektorat, Hajrullahu ka thënë se ende zyrtarisht nuk ka marrë ndonjë përgjigje nga ana e këtij të fundit.

Ai kërkon nga Rektorati të mos aprovohet rekomandimi i Këshillit, pasi, sipas tij, kjo shënon shkelje ndaj tij dhe beson se në Senat do të evitohet ky gabim i bërë nga Këshilli i Fakultetit.

Hajrullahu mohon të mos ketë dhënë dëshmi të mjaftueshme për studimet themelore.

Ndërkaq, në faqen zyrtare të Fakultetit Filozofik është publikuar sqarimi për opinionin, në të cilin thuhet se Arben Hajrullahu (i doktoruar dhe i magjistruar në Universitetin e Vjenës) nuk ka dorëzuar diplomë të studimeve bachelor ose barasvlerën përkatëse të këtyre studimeve.

Por bëhet e ditur se Hajrullahu ka dorëzuar më vonë pas mbylljes së konkursit një sqarim për sistemin e atëhershëm të studimeve në Austri, i cili siç thuhet në këtë sqarim nuk është i aplikueshëm sepse kandidati nuk ka sjellë në Fakultetin Filozofik dokumente që mbështesin kryerjen e studimeve themelore brenda kohës së paraparë të aplikimit, e cila gjë kërkohet ligjërisht specifikisht me konkurs. /Zëri/