LAJMI I FUNDIT:

Parada e Putinit në Sheshin e Kuq do të jetë spektakël i neveritshëm

Parada e Putinit në Sheshin e Kuq do të jetë spektakël i neveritshëm
Ilustrim i realizuar nga Ann Kiernan

Nga: Andrei Kozyrev, ish ministër i Jashtëm i Rusisë, autor i librit “Zogu i zjarrtë: Fati bishtnues i demokracisë ruse” / Financial Times
Përktheu: Agron Shala /  Telegrafi.com

U rrita në Moskë duke besuar se ukrainasit ishin njerëz si gjithë të tjerët. Mësova se apeli i qeverisë së Bashkimit Sovjetik që populli të çohet kundër pushtimit të Gjermanisë naziste, më 1941, niste me fjalët “vëllezër dhe motra”. Kjo natyrisht se i përfshinte si rusët ashtu edhe ukrainasit.


Populli u ngrit, duke vuajtur rëndë dhe duke kontribuar me vendosmëri në fitoren përfundimtare të Luftës së Dytë Botërore të arritur së bashku me ShBA-në, me Britaninë dhe me Francën. Kur më vonë punova në departamentin e OKB-së të Ministrisë së Jashtme Sovjetike, krenohesha me faktin se republikat sovjetike të Ukrainës dhe të Bjellorusisë ishin anëtare themelues të asaj organizate globale, së bashku me vetë BRSS-në.

Kur Bashkimi Sovjetik u shemb në vitin 1991, rreth 90 për qind e ukrainasve, përfshirë shumicën në Krime dhe në Donbas, përmes një referendumi votuan për pavarësinë. Krenohesha me faktin se jam anëtar i qeverisë së Federatës Ruse që e respektoi atë zgjedhje. Dhe, ishte detyra e privilegji im ta hartoja strukturën për marrëdhëniet fqinjësore midis Rusisë dhe Ukrainës, ndërsa në vitin 1994 ta shkruaja, së bashku me kolegët amerikanë, Memorandumin e Budapestit që ofronte garanci sigurie për Ukrainën. Në këmbim të kësaj, Kievi merr përsipër t’ia jepte Rusisë armët e veta bërthamore, gjë të cilën e bëri në kohë të shkurtër.

Ky sfond personal duhet të ndihmojë për të shpjeguar se pse ajo që ka ndodhur me Ukrainën, që nga viti 2014, ka kaq shumë rëndësi për mua. Në mars të atij viti, presidenti Vladimir Putini i përdori trupat nga baza ushtarake ruse në Krime, për ta aneksuar gadishullin. Sipas memorandumit të Budapestit, kjo ishte shkelje e pacipë e detyrimeve të Rusisë. Për fat të keq, Amerika u përgjigj me qortim diplomatik dhe me sanksione të dobëta. I inkurajuar nga kjo, Putini pushtoi pjesë të Donbasit. Sërish ShBA-ja dhe Perëndimi shprehën mosmiratim, por masat praktike u kufizuan në sanksione joefektive.

Për tetë vjet Rusia i konsolidoi përfitimet e veta, ndërsa Perëndimi, veçanërisht Evropa, u fsheh pas mantrës se duhej të zbatohej Marrëveshja e Minskut e krijuar për ta siguruar paqen në Donbas.

Pastaj, më 24 shkurt të këtij viti, trupat ruse filluan pushtimin e plotë të Ukrainës. Por, kësaj radhe basti i Putinit për reagim të dobët, si nga Kievi ashtu edhe nga Perëndimi, doli të jetë i gabuar. Pasi hasën në rezistencë të ashpër, komandantët e dëshpëruar dhe të demoralizuar rusë iu drejtuan taktikave terroriste, përfshirë bombardimet pa dallim dhe shënjestrimin e civilëve.

Propaganda e Kremlinit përpiqet ta lidhë pushtimin e Ukrainës me “Luftën e Madhe Patriotike” të zhvilluar nga rusët dhe ukrainasit kundër Gjermanisë së Hitlerit. E quajtën “naziste” administratën e Volodymyr Zelenskyt, të presidentit të Ukrainës të zgjedhur me vota të lira e të drejta. Në mënyrë eufemiste, Moska këtë luftë e quan “operacion ushtarak special” për ta çliruar Ukrainën nga nazizmi dhe për ta kthyer atë në “Russkiy mir” (botën ruse – v.p.), zonë kjo e definuar turbullt për dominimin e Moskës dhe të Kishës Ortodokse Ruse, patriarku i së cilës e ka bekuar pushtimin.

Tashti, në paradën tradicionale të Ditës së Fitores të Luftës së Dytë Botërore, që do të mbahet më 9 maj në Sheshin e Kuq në Moskë, Kremlini po bëhet gati ta portretizojë këtë operacion si pasuese të luftës kundër nazizmit

Putini në fakt ia ka dalë ta krijojë një lidhje me nazistët – por, nëpërmjet veprave të veta, jo duke shpifur për Kievin. Merrini parasysh këto ngjashmëri midis agresionit rus sot dhe të luftës pushtuese të Hitlerit në Evropë pas vitit 1939.

Diktatori ka urdhëruar pushtimin e territorit të huaj, për ta madhëruar veten. E ka bërë këtë i paprovokuar nga vendi që po pushtohet, duke i ndjekur synimet e veta në kundërshtim me marrëveshjet dypalëshe dhe ndërkombëtare.

Pushtimi justifikohet në bazë të pretendimeve të rreme për supremaci historike, ideologjike ose fetare. Propagandohet miti sipas të cilit viktimat e agresionit në fakt po çlirohen nga shtypja – komuniste në rastin e Hitlerit, naziste në rastin e Putinit. Ndërsa, ushtria ka vepruar barbarisht duke sulmuar popullsinë civile, duke i shkatërruar pronat dhe trashëgiminë e vlefshme kulturore.

Shfaqja grandioze e ushtrisë ruse në Sheshin e Kuq dhe justifikimi i rremë “anti-nazist” i agresionit në Ukrainë, është blasfemi kundër kujtesës ndaj Holokaustit dhe dhjetëra miliona njerëzve të vrarë gjatë Luftës së Dytë Botërore.

Vendet e rezervuara për diplomatët dhe personalitetet e huaja duhet të mbeten të zbrazëta. Kjo do t’ia dërgonte një mesazh të fuqishëm miliona rusëve që do ta shikojnë paradën përmes televizorit. /Telegrafi/

Në trend

Më shumë
Shkëlqeu ndaj Man Cityt dhe në klub ende e duan, por veterani i Real Madridit ia ka kumtuar Perezit largimin për në fund të sezonit

Shkëlqeu ndaj Man Cityt dhe në klub ende e duan, por veterani i Real Madridit ia ka kumtuar Perezit largimin për në fund të sezonit

La Liga
“Të ngrehi zhag”, deklarata e bashkëshortes së Riza Muratit, e cila e ka denoncuar kapitenin e policisë për dhunë

“Të ngrehi zhag”, deklarata e bashkëshortes së Riza Muratit, e cila e ka denoncuar kapitenin e policisë për dhunë

Drejtësi
Reagon presidenti iranian, Zelenskyt hatërmbetje me aleatët – detaje dhe pamje, minutë pas minute, rreth ‘hakmarrjes’ së Izraelit ndaj Iranit

Reagon presidenti iranian, Zelenskyt hatërmbetje me aleatët – detaje dhe pamje, minutë pas minute, rreth ‘hakmarrjes’ së Izraelit ndaj Iranit

Botë
Kosovari i arrestuar në kufi, Serbia pretendon se ishte pjesë e luftës, mohon OVL-UÇK

Kosovari i arrestuar në kufi, Serbia pretendon se ishte pjesë e luftës, mohon OVL-UÇK

Siguri
Izraeli e njoftoi në minutën e fundit SHBA-në për sulmin ndaj Iranit

Izraeli e njoftoi në minutën e fundit SHBA-në për sulmin ndaj Iranit

Azia
Zinedine Zidane ‘një hap larg’ emërimit si trajner i gjigantit të njohur evropian

Zinedine Zidane ‘një hap larg’ emërimit si trajner i gjigantit të njohur evropian

Ndërkombëtare
Kalo në kategori