LAJMI I FUNDIT:

Papunësia në Kosovë është 31.4%

Papunësia në Kosovë është 31.4%

Dy e treta e popullsisë në Kosovë janë të papunë, kështu thuhet në raportin “Anketa e Fuqisë Punëtore, tremujori i katërt 2018”, prezantuar nga Agjencia e Statistikave të Kosovës.

Sipas Agjencisë, në kuadër të popullsisë në moshë të punës, ku përfshihen moshat 15-64 vjeçare, shkalla e pjesëmarrjes në fuqinë punëtore është 42 për qind.

“Shkalla e punësimit në Anketën e Fuqisë Punëtore për tremujorin e katërt 2018 është 28.8 për qind, ndërsa punësimi më i lartë është te meshkujt 45.2 për qind, derisa punësimi te femrat është 12.7 për qind. Femrat janë të punësuara, kryesisht në sektorët e arsimit, tregtisë dhe kujdesit shëndetësor me 52.9 për qind, ndërsa meshkujt në sektorët e tregtisë, ndërtimtarisë dhe prodhimit me 44.1 për qind”, thuhet në raportin e ASK-së, përcjell Telegrafi.

Sektorët ekonomikë që prijnë me punësim, vazhdojnë të jenë tregtia me 17 për qind, ndërtimtaria me 12.1 për qind, prodhimi me 11.1 për qind, arsimi me 10.6 për qind, ndërsa, sektorët e tjerë marrin pjesë me përqindje më të vogël në punësim.

Ndërsa, sa u përket të punësuarve me kontrata, del se 33.8 për qind e personave të punësuar kanë kontratë të përhershme në punën e tyre kryesore.

“Sipas ASK-së, shkalla e papunësisë është 31.4 për qind, ku më e theksuar është te femrat me 38 për qind, krahasuar me meshkujt prej 29.2 për qind. Shkalla më e theksuar e papunësisë është te grupmoshat 15-24 vjeçare me 57.3 për qind, derisa fuqia joaktive është mjaft e lartë me 58 për qind, me fokus të veçantë te femrat me 79.5 për qind krahasuar me meshkujt me 36.1 për qind”, vijon njoftimi.

Publikimi përmban të dhëna të detajuara mbi punësimin dhe papunësinë sipas moshës, gjinisë, statusit të punësimit, aktiviteteve ekonomike, profesioneve dhe çështjeve të tjera të ngjashme, që kanë të bëjnë me tregun e punës. /Telegrafi/