Roli i lidershipit është vendimtar në zhvillimin e një kombi mirëpo fatkeqësisht realiteti politik mbarëshqiptar në këto momente po dëshmon një krizë të jashtëzakonshme të lidershipit pasi elita politike po manifeston një papërgjegjshmëri të skajshme. Mungesa e kurajës së lidershipit politik për të qenë në lartësi të detyrës duke dhënë llogari dhe marrë përgjegjësi për pasojat e shkaktuara prej veprimtarisë së tyre në Shqipëri, Kosovë e Maqedoni lë të mendohet se papërgjegjshmëria qenka një sëmundje kombëtare.

Elementi kryesor ilustrues i kësaj papërgjegjshmërie është pikërisht lehtësia me të cilën interesat personale meskine vihen përpara interesave kombëtare. Së fundmi u pa qartë që lidershipi i opozitës në Tiranë e ka pas varur shpresën për realizimin e qëllimeve të veta politike tek kërcënimi me shkaktimin e frenimit të liberalizimit të vizave dhe të integrimit në BE, Fatmirësisht rezoluta e BE-së nuk e penalizoi Shqipërinë për paaftësinë e politikanëve shqiptarë për të zgjidhur punët në mënyrë institucionale.


Kjo papërgjegjshmëri kalon caqet e arsyes atëherë kur ndizet lufta e gjelave mes rivalëve politik dhe garohet kush e nxin më tepër realitetin e për rrjedhojë edhe vendin. është qesharake të mendohet se imazhi i vendit tonë ka për t'u përmirësuar me anë të reklamave të transmetuara në CNN kur lideri i opozitës e quan kryeministrin Ahmedin Nexhad ose Çavez e nga ana tjetër kreu i ekzekutivit e konsideron kryeopozitarin si drejtuesin e mafies më të rrezikshme në Evropë.

Fatkeqësisht po vihet re e njëjta papërgjegjshmëri edhe në Maqedoni ku liderët politikë i mbajnë partitë si me tapi e s’japin dorëheqjen kur humbasin zgjedhjet. Madje edhe në situatën e tanishme të poshtërimit të lartë të shqiptarëve s’guxojnë ta braktisin koalicionin me Gruevskin sepse e dinë që pala tjetër ka për të rendur t'i zërë vendin pa pyetur për gjendjen kritike të shqiptarëve.

Megjithatë situata më tragjike po ndodh në Kosovë ku personaliteti më i lartë i shtetit, presidenti Fatmir Sejdiu, edhe pse si kryetar i shtetit që është i takon të jetë garant i kushtetutës, në fakt është i pari që e shkel, duke mos u tërhequr nga posti i kryetarit të Lidhjes Demokratike të Kosovës. Së fundmi një grup deputetësh po e çojnë këtë çështje ne Gjykatën Kushtetuese të Kosovës duke e konsideruar te papërputhshme mbajtjen nga presidenti te postit të kryetarit te partisë te dytë më të rëndësishme në vend.

Por kulmi i papërgjegjshmërisë është padyshim mosdhënia e dorëheqjes prej ministrit të transportit, z Limaj, pas akuzave të rënda për abuzim me postin të bëra drejtpërdrejt ndaj tij prej prokurorëve të EULEX-it. Kërkesa për dorëheqjen është bërë edhe nga përfaqësuesit politik ndërkombëtarë në Kosovë mirëpo jo vetëm që s’ka dorëheqje por nxitet një frymë antindërkombëtarëve në Kosovë dhe e vetmja mbrojtje që ofrohet është se veprimtaria e ministrisë së transportit nuk dallon nga ajo e ministrive të tjera.

Duke bërë në këtë mënyrë një lloj shantazhi sepse nënkuptohet që në këtë lojë merren të gjithë me vete, diskreditohet i gjithë shteti dhe vihen në pikëpyetje të gjithë pushtetarët e tjerë të lartë dhe legjitimiteti i qeverisjes. Jo më pak i ulët është rasti i dy ish ministrave shqiptarë të transportit dhe mbrojtjes të cilët ngelen në pushtet si ministra edhe pse një vit më parë kanë qenë të hetuar dhe akuzuar për shkelje me përmasa të krahasueshme vetëm me republikat afrikane të bananeve e jo me Evropën, respektivisht për qindra milionë euro të vjedhura dhe 26 qytetarë të vrarë.

Dorëheqja e stilit të Nixonit në rast akuzash të tilla s'është vetëm një akt simbolik i nevojshëm për ta lënë në dorë të drejtësisë të vërtetën, duke shkëputur përgjegjësitë personale nga funksionimi i shtetit, por edhe një veprim i domosdoshëm për te mundësuar punën e drejtësisë. Duke ngelur në detyrë zyrtari i hetuar jo vetëm që dekurajon rrëfimin e të vërtetës nga dëshmitarët vartës por rrezikon prishjen e provave dhe fshirjen e gjurmëve të shpërdorimeve.

Kombet e përparuara kanë begatuar pikërisht sepse kanë pasur elita politike që kanë qenë në nivelin që ka diktuar momenti historik dhe janë udhëhequr nga liderë që kanë vepruar si shtetarë të vërtetë duke u treguar të gatshëm për vetëmohim për hir të atdheut. Historia e këtyre vendeve është e mbushur me raste të panumërta te burrave të shtetit që janë larguar në mënyrë dinjitoze kur kanë parë se po bëheshin pengesë për përparimin e vendeve të tyre. Kancelari gjerman Willy Brandt dha dorëheqjen vetëm sepse u zbulua se një nga stafi i tij ishte spiun i komunistëve, Dë Goli dhe kryeministri francez Raffarin kanë dhënë dorëheqjen vetëm sepse dështuan referendumet që ata kishin mbështetur, Tony Blair dha dorëheqjen vetëm për zhgënjimin dhe pakënaqësinë që mbolli lufta në Irak dhe raste të tilla dorëheqjesh kalorsiake të politikanëve të rëndësishëm në Evropë mund të përmenden pa fund.

Po çfarë ndodh me fqinjët ballkanikë për sa i përket largimit të lidershipit. Modeli alternativ është ai i Serbisë me Milosheviçin, ku elita politike serbe edhe pse ishte kryekëput e përfshirë dhe bashkëfajtore për çfarëdo paudhësie e krimi të viteve 90-të, vendosi të distancohet për të siguruar nxjerrjen e vendit nga izolimi. Pra elita serbe për t'i siguruar vendit një të ardhme evropiane vendosi ta bëjë Milosheviçin kokë turku për gjithçka kishin bërë serbët duke sajuar një pseudorevolucion me organizatën OTPOR që në fakt ishte krejt i inskenuar dhe instrumentalizuar. Mirëpo ne shqiptarët e kemi traditën ndryshe, ne bëjmë kokë turku dhe sakrifikojmë atdheun për hir të liderit.

I vetmi rast i një dorëheqje vullnetare nga posti politik mes shqiptarëve deri tani ngelet ai i ish liderit socialist, Nanos. Imagjinohet lehtë se në çpikë të hallit është politika shqiptare kur për model të vetëm të largimit nga politika, që ska ardhur prej kushteve natyrore apo prej shtrëngimit, ka Fatos Nanon! Sot është për të ardhur keq kur shihet se si individë si Neritan Ceka, Nikollë Lesi apo disa aktorë politikë të spikatur të djathtë qe janë shndërruar në aleatë të Partisë Socialiste janë duke kapërdirë gjithë atë që kanë pas pështyrë kundër ish armiqve politikë vetëm e vetëm që të ngelen me çdo kusht në lojën politike. Bëhet fjalë për politikanë të cilët dikur kanë pas dëshmuar kurajë të lartë qytetare dhe ishin në anën e së drejtës por që tani janë vënë në shërbim të ish kundërshtarëve më të rreptë politikë të tyre.

Kjo situatë e moslargimit nga jeta politike me çdo kusht është njësoj si bërja e një loje shahu me një lojtar mediokër, që edhe kur gjendet në dizavantazh të qartë me gurë dhe disfata është e pritshme pas pak lëvizjes, nuk dorëzohet në mënyrë dinjitoze por insiston deri tek guri i fundit. Vazhdon me shpresën se mos fati e përmbys situatën sikur të ishin duke lozur tavëll me zare e jo shah. Rrinë me insistim në lojë deri sa të bëhen mat e mos të kenë ku të venë, pa dëgjuar orën që tregon se iu ka ardhur koha për të ikur dhe pa kuptuar se tërheqja e hershme është më e mirë për ata sesa dëbimi me turp.

Këmbëngulja e madhe për t'u kacavjerrë pas arenës politike edhe atëherë kur janë zbuar nga vota e popullit ose janë diskredituar tërësisht, tregon ose që këta njerëz nuk kanë besim tek aftësitë e tyre profesionale dhe mendojnë se mund të mbijetojnë vetëm duke mjelë shtetin si politikanë ose zyrtarë të lartë ose që këta individë janë të përlyer dhe e kanë të doemosdoshme imunitetin që sigurohet prej të qenurit aktor aktiv i jetës publike, në mënyrë që të shmangin hesapet që kanë me drejtësinë për zullumet që kanë bërë.

Me mënyrën si po shkojnë gjërat, elita politike mbarëkombëtare jona po i ngjason gjithnjë e më shumë një pellgu me ujë të qelbur që po e pengon popullin tonë të shpalosë potencialin që ka për progres. Për sa kohë nuk largohet uji i vjetër i ndenjur dhe nuk lejohet të rrjedhë brenda ujë i ri dhe i freskët ky moçali ynë politik ka për tu bërë gjithnjë e më shumë një oazë për parazitët dhe shushunjat dhe një burim infeksioni për gjithë shoqërinë.

Kjo papërgjeshmëri e lidershipit tonë politik në këto momente kardinale për kombin shqiptar mbase nuk ka për t'u frenuar në kohë ose mbase nuk do marrë ndëshkimin e merituar nga organet e drejtësisë, por gjithësesi nuk ka për t'i shpëtuar dënimit të historisë. Disa prej politikanëve më në zë të sotshëm nuk e dinë sa e pamërshirshme është historia në vendosjen e njollës. Nuk e dinë me sa lehtësi i fshin dhe zhvleftëson historia meritat e dikurshme si pasojë e mëkateve të bëra në një kohë të dytë. Nuk ka kurrfarë dyshimi që për kusuret që i kanë shkaktuar vendit disa prej politikanëve shqiptarë që sot krekosen e dominojnë politikën kanë për tu përmendur tërë përçmim në librat e historisë.