LAJMI I FUNDIT:

Panxha: Duhet vullnet politik për t’i zbatuar marrëveshjet tregtare Kosovë-Shqipëri

Panxha: Duhet vullnet politik për t’i zbatuar marrëveshjet tregtare Kosovë-Shqipëri

Ka vite që Shqipëria dhe Kosova promovojnë bashkëpunimin institucional ndërmjet dy qeverive edhe me marrëveshje të nënshkruara, që për qëllim kanë lehtësimin e procedurave për marrëveshjet dhe koordinim të vendeve tona.

Por, këto marrëveshje shpesh kanë qenë në kritikën për mënyrën e organizimit dhe bërjes kryesisht të një “show medial” e më pak zbatim të këtyre marrëveshjeve në përditshmëri.


Ani pse marrëveshjet u prezantuan shpesh si shumë të rëndësishme, ato nuk po gjejnë zbatim.

marrëveshjet e nënshkruara në fusha të ndryshme, në veçanti në aspektin ekonomik nga përfaqësues të bizneseve dhe njohës të fushës po vlerësohet se nuk po arrijnë të zbatohen.

Kryetari i Klubit të Prodhuesve të Kosovës, Astrit Panxha, tha për Telegrafin se, duhet vullnet politik për t’i zbatuar këto marrëveshje.

“Sfidë në mes të vendeve mbeten shumë çështje. Serioziteti i qeverive për të quar përpara projektet e përbashkëta dhe vullneti politik për zbatimin e marrëveshjeve është pengesë kryesore e perspektives ekonomike të vendeve tona”, tha Panxha.

Panxha shton se, sfidë mbetet lehtësimi i barrierave për bizneset.

“Edhe pse ka marrëveshje të shumta në mes të Kosovës dhe Shqipërisë, sfidë mbetet lehtësimi i barrierave për bizneset”, deklaron ai.

83 marrëveshje Kosovë-Shqipëri, shumë politikë e pak ekonomi - bizneset kërkojnë veprim e jo 'show medial'
Lexo po ashtu 83 marrëveshje Kosovë-Shqipëri, shumë politikë e pak ekonomi - bizneset kërkojnë veprim e jo 'show medial'

Ai përmend edhe pagesat jo-tarfiore që bizneset nga Kosova i hasin në raport me Shqipërinë.

“Në çdo eksport, autoritetet shqiptare kërkojnë kopjen origjinale (ose kopjen e noterizuar) të Certifikatës së Cilësisë për produktet që i nënshtrohen kontrollit fitosanitar dhe veterinar; nëse kompania eksportuese ka ngarkuar dy ose më shumë ngarkesa në të njëjtin kamion dhe destinacioni përfundimtar nuk është në të njëjtin vend, procedurat doganore nuk mund të kryhen në një terminal të vetëm doganor, por kamioni duhet të lëvizë nga njëri në tjetrin terminal doganor”, ka pohuar Panxha.

Sipas tij, nëse një kompani eksportuese nga Kosova në një maune ka të ngarkuara dy ose më shumë produkte dhe nëse njëri nga këto produkte nuk e ka destinim Shqipërinë, atëherë mauna duhet të lëvizë në një terminal tjetër doganor.

“Për shumë lloje të mallrave të eksportuara në Shqipëri dhe ku çmimi i dërgesës është mbi 1,000 euro duhet të bëhet pagesa e skanerit në bazë vlerësimeve të riskut nga autoritetet Shqiptare. Kjo pagesë është 22 euro për maune; autoritetet shqiptare nuk pranojnë vlerën e mallrave të eksportuara nga ana e kompanive të Kosovës por përdorin metodat e tyre të brendshme për të kalkuluar vlerën e tyre; dhe pagesa e autostradës së kombit të cilën për çdo eksport kompanitë e Kosovës janë të detyruara ta paguajnë”, tha Panxha.

Për Kosovën, Shqipëria është tregu më atraktiv. Ndërkaq në tregun e Kosovës, pra në kuptimin e importeve Shqipëria është partneri i tretë më i rëndësishëm tregtar. /Telegrafi/