LAJMI I FUNDIT:

Panairi i Gjilanit mbledh rreth 120 biznese nga vendi dhe rajoni

Panairi i Gjilanit mbledh rreth 120 biznese nga vendi dhe rajoni

Rreth 120 biznese nga Kosova, Shqipëria, Maqedonia, Lugina e Preshevës dhe Mali i Zi po marrin pjesë në panairin treditorë ‘Gjilani 2018’, i cili ka për qëllim të forcojë marrëdhëniet ndërmjet sipërmarrësve nga rajoni dhe për të inkurajuar konkurrencën e ndërmarrjeve të vogla dhe të mesme për një zhvillim stabil ekonomik.

Kryetari i Komunës së Gjilanit, Lutfi Haziri, premtoi se vitin e ardhshëm do ta zgjerojnë edhe më shumë kalendarin e panairit, që të ketë edhe më shumë biznese.


“Do të shkojnë duke e zgjeruar jo vetëm në qytet, por do të zgjerohemi edhe me biznese të tjera në mënyrë që me e rikthye të gjithë atë nostalgji që e kemi pasur për atë aktivitet që në Gjilan është zhvilluar më herët. Pasi që mundëson jo vetëm prodhimet vendore po edhe të gjitha regjionet, bizneset të bashkëpunojnë mes vete. Këto janë mundësi bashkëpunimi më të thellë në funksion të zhvillimit ekonomik. Siç edhe e dini, duke qenë ithtar i madh i zgjerimit të Republikës sonë në drejtim të juglindjes dhe nga ky shesh natyrisht se falënderoj shumë organizimin dhe angazhimin e madh për këtë panair”, tha ai.

Ushtruesja e detyrës së ministres së Tregtisë dhe Industrisë, Arbëresha Krasniqi, ka potencuar se si ministri do të vazhdojnë të mbështetin panaire të tilla.
“MTI do të vazhdojë edhe më tutje në mbështetjen e panaireve të tilla, panaire të cilat me të vërtet do t’i japin kuptim bizneseve dhe ekonomisë tonë vendore. Unë ndihem mirë që sot Komuna e Gjilanit është si vend-lokacion, i cili bashkon bizneset mbarë rajonale dhe ndjehem mirë që këtu ka përfaqësime të bizneseve edhe nga Maqedonia, Shqipëria, Mali i Zi, nga Lugina dhe bashkëpunimi ndërmjet bizneseve rajonale sigurisht që e fuqizon ekonominë tonë”, u shpreh ajo.

Ky panair ka pasur mbështetje edhe nga Ambasada e Shqipërisë në Kosovë, ku nga Shqipëria kanë marrë pjesë 42 biznese. Panairi i njohur si Panaxhyri i Gjilanit do të jetë i hapur deri ditën e premte. /Telegrafi/