LAJMI I FUNDIT:

Pak për Providencën

Është zoti ai që shpiku padrejtësinë, dhe të gjithë ne rendëm pa dëshirën dhe vullnetin tonë brenda joshjes së panjohur. Detyrimisht është faji ynë që nuk shmangim fatin e botës transite, që fundja, vetëm kjo do na mbetet për monedhë; si dhe qiejt kur janë të frymëzuar të bëjnë prapësira t’u mbyllet e drejta për të vepruar… Madje dhe qiejt na diktojnë duke na vënë nën fre lirinë ekzistenciale, të cilën vërtet e kemi të huazuar. Ndërsa zoti me forcën e tij sublime, në njëfarë mënyre revolton drejtësinë e njeriut bon sens, dhe në mungesë të paqes solli tundimin e tij.

Ky tundim paksa e lodh veprimin njerëzor të diktuar nga vullneti i jashtëm i qenies gjithëdetyruese. Andaj, më kot “esenca paraprihet nga ekzistenca”, sepse njeriu, të paktën për mendimin tim nuk ndodhet në qenësimin për të qenë plotësisht dhe individualisht i lirë, por i predeterminuar më shumë të privohet nga ligjet e fizikës, të cilat në thelb janë në mosmarrëveshje të gjithanshme me arsyen dhe ndjenjat e njeriut. Kjo ka ndodhur ose për të mirën e njeriut, që unë dyshoj, ose për sublimen e forcës së zotit.


Liria e tij e gjithëpushtetshme na mbikëqyr me fatin që na revolton, e më pas na kthen paqen të cilës i gëzohemi me gjithë hare. Kjo është metoda që çon njeriun drejt sprovës së përgjegjshme. Por njeriu, më parë duhet të kuptojë ose njohë kushtin e tij që t’ia kthejë me të njëjtën monedhë, duke mos e lënë aspak të sundohet. Por, unë kam bindjen se në mungesë të drejtësisë është imagjinata e kridhur që buron nga liria e vullnetit të jashtëm, e cila detyrimisht na gllabëron brenda sistemit të planifikuar nga Providenca hyjnore, të cilën aq më pak ne e ndryshojmë. Detyrimisht na jepet, detyrimisht na shkarkohet liria.

Prandaj, unë nuk kërkoj lirinë më, por një zot të drejtë që ta kthejë me forcën e tij sublime të keqen përmbys, dhe të ndajë njëherë e përgjithmonë të keqen nga njeriu i drejtë… Kjo vërtet është e dhembshme, por ç’e do, kur asgjë dhe askush nuk mund ta ndryshojë fatin tonë të cilën vetë e kemi krijuar sipas lëndëve të zotit… Jemi në një mosmarrëveshje të tejdukshme…

E keqja nuk ka mëshirë, prandaj e tundon njeriun, natyrën madje dhe qiejt mistik. Qiejt janë të largët dhe nuk na bëjnë vend t’i sodisim heshtjet e tyre, duke na shmangur vobektësitë që lëmë si cifla heroike me shenjtërinë e providencës. E keqja nuk na le, por na mbyll hermetikisht duke na kthyer në hon vertikal…

Si këmbim të së keqes, unë nuk “jetoj” më, krejt jetën time ia kam falur zotit për qëllimet e tij sublime, vetëm që arena të m’i diktoje veprimet sipas planit bon sens… Që përgjegjësia të bjerë midis nesh…