LAJMI I FUNDIT:

Pak ERTV për Baronin Nopcsa!

Pak ERTV për Baronin Nopcsa!

Nga: Aurel Plasari

Titulli “Zbulohen tetë vëllime me dorëshkrime të rralla të Baron Nopças për Shqipërinë në Bibliotekën Kombëtare” është një akt idiotësie i asaj skote gazetarie që asnjëherë nuk mban përgjegjësi për idiotësitë që shpërndan në publik.

Përfytyroni mbas një idiotësie – po e përsëris termin – si kjo të lexosh edhe uebsajtin në fjalë se si e mburr veten për “website më profesional” etj.

Do të dëshiroja të mos jetë ndonjë lapsus shërbëtorësh të Kryeshërbëtorit, sepse në rast të tillë atij vetëm sa do t’i bënin dëm, duke ia shtuar dëmet me zbulime të përsëritura të rrotës.

Gjashtë (jo tetë) vëllimet e Ditarit (Notizbücher) të dorëshkruar të baronit Nopcsa për Shqipërinë (1905-1909), plus një vëllim Ditari për Bullgarinë (1913), nuk kanë pasur asgjë për t’u zbuluar, as edhe për t’u rizbuluar. Aq të njohura janë sa edhe tani nga tryeza e punës, pa i pasur për duarsh, nuk e kam aspak të vështirë informacionin për to.

Vëllimet e Ditarit të baronit Nopcsa, me prejardhje nga “Biblioteka Lumo Skëndo”, të blera prej tij në një Antikuar të shënuar me kujdes prej dore së vet, i ka nxjerrë i pari në dritë nga koleksionet e Vlerave të Rralla të Bibliotekës Kombëtare në Tiranë albanologu Robert Elsie, qysh në vitin 1990, teksa merrej me kërkime për jetën dhe veprën e baronit. Jo më kot e ka lënë të dëshmuar vitin 1990 si datë me rëndësi për Ditarët e nxjerrë në dritë:

“Nopcsa began writing his memoirs before the end of the First World War. He compiled them from the notes made in the diary books he kept with him during his Balkan travels and which until recently were considered lost. I had the good fortune in 1990 of finding seven original volumes of these diaries, six on Albania and one on Bulgaria, in the National Library in Tirana” (R. Elsie, The Viennese Scholar who almost became king of Albania: baron Franz Nopcsa and his contribution of Albanian Studies, në “East European Quarterly, nr. 22 / 1999).

Albanologu në fjalë e ka përsëritur më se një herë këtë informacion të rëndësishëm duke ofruar edhe ndonjë të dhënë minimale sinoptike të çdo vëllimi të Ditarit që gjendet në Bibliotekën Kombëtare:

“Es kann angenommen werden, daß Nopcsa schon vor dem Ende des Ersten Weltkrieges mit einer ersten Niederschrift seiner Lebenserinnerungen angefangen hatte. Als Grundlage hierfür verwendete er seine lang als verschollen geglaubten Notizbücher, die er während seiner Balkanreisen stets bei sich trug. Sieben dieser mit kurzen Notizen, Terrainaufzeichnungen, Reiseskizzen, Zahlen und Rechnungen versehenen Bände, davon sechs Albanien betreffend und ein siebter über Bulgarien, wurden 1990 vom Herausgeber in den albanologischen Beständen der Nationalbibliothek in Tirana aufgefunden [Signatur DR2/3F bis 8F]. Sie betreffen die folgenden Zeiträume: Bd. 1 (1905), 430 S.; Bd. 2 (1906), 580 S.; Bd. 3 (1907), 474 S.; Bd. 4 (1908), 316 S.; Bd. 5 (1909), 686 S.; und Bd. 6 (1913), 213 S. ( Reisen in den Balkan. Die Lebenserinnerungen des Franz Baron Nopcsa. Dukagjini, Peja 2001).

Vëllimet e Ditarit në fjalë jo vetëm i kanë njohur, por edhe i kanë konsultuar e përdorur – pikërisht në gjurmët e njoftimeve ndërkombëtare të albanologut Elsie – studiues të jetës dhe veprës së baronit Nopcsa. Madje edhe duke riprodhuar foto prej tyre.

Njëri nga ata, për shembull është Dacian Munteanu, studiues i jetës dhe veprës së baronit, i cili ka përdorur gjerësisht faqe të riprodhuara nga Ditarët për të plotësuar itinerarin e udhëtimit të albanologut Ferenz Nopcsa nëpër Ballkan në librin e tij “Aventurat dhe udhëtimet e baronit Nopcsa” (2013), me parathënie nga Francisc Nopcsa, stërnip i baronit. Si edhe duke u kujdesur ta shënojë burimin për çdo ilustrim: “Ndodhet në Bibliotekën Kombëtare të Shqipërisë, Tiranë”, siç mund të shihet – për kureshtje – edhe në ndonjë foto që po ofroj.

Para vitesh ka qenë studiuesi Ardian Klosi, njohës i mirë i gjermanishtes, që shfaqi interes të punonte me vëllimet në fjalë, por nuk e pati gjetur mbështetjen e nevojshme materiale për një projekt të tillë jo të lehtë.

Edhe më shkoqur: Ditarët e baronit Nopcsa jo vetëm ndodhen në domen publik në Bibliotekën Kombëtare, por Ditarët e baronit Nopcsa në Bibliotekën Kombëtare kanë qenë ekspozuar, qysh moti, për publikun; Ditarët e baronit Nopcsa ndodhen të pasqyruar për publikun në katalogun elektronik online të Bibliotekës Kombëtare, çfarë do të thotë që mund të përkapen si informacion nga të katër anët e botës; madje për çdonjërin nga vëllimet e Ditarit të baronit Nopcsa është shënuar: “Ekzemplari edhe i digjituar”, çfarë do të thotë që vëllimet në fjalë janë në përdorim edhe në formatin digjital. Sepse Biblioteka Kombëtare e Shqipërisë, o zonja gazetarica, i ka fillimet e veta në vitin 1920 dhe nuk ka për vit 0 ardhjen në pushtet të Kryeshërbëtorit dhe të shërbëtorëve të tij.

Shkurt: asgjë e re për t’u “zbuluar” ose rizbuluar për Notizbücher-ët në fjalë. E vetmja çfarë i ka munguar baronit Nopcsa, me Ditarët e tij, është që të dalë pak në ERTV.