LAJMI I FUNDIT:

Pajaziti: Për demarkacionin duhet të ketë koncensus politik

Pajaziti: Për demarkacionin duhet të ketë koncensus politik

Deputeti i Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), Zenun Pajaziti, ka theksuar se çështja e Gjykatës Speciale tashmë është mbyllur. Ai në një prononcim për Telegrafin ka theksuar se deklarimet e Veselit, Haradinajt dhe Thaçit, e kanë mbyllur këtë temë.

“Unë mendoj se kryetari i PDK-së dhe i Kuvendit të Kosovës ka qenë i pari që ka treguar se Specialja është e pakthyer. Mendoj se do të kemi të bëjmë më një proces të drejtë gjykues, ndonëse bëhet fjalë për një gjykatë të padrejtë”, ka theksuar Pajaziti.


Sipas tij, ka pasur edhe ekzagjerime për çështjen e kësaj gjykate, madje edhe me iniciativën e deputetëve për shfuqizimin e ligjit, duke shtuar se konsideron si diçka të kryer.

Pajaziti ka folur edhe për çështjen e demarkacionit, duke thënë se qëndrimi i partisë së tij tashmë është i njohur.

“Dihet qëndrimi jonë. Por, është mirë që të ketë një koncensus politik për procedim dhe më pas ratifikim të marrëveshjes për demarkimin e kufirit në mes Kosovës dhe Malit të Zi”, ka thënë ai.

Sipas tij, kryetari i PDK-së është duke punuar që të ketë një pajtim në mes aktorëve politik për këtë marrëveshje.

“Ne edhe më herët i kemi marrë veprimet e duhura, kur kemi kërkuar nga të tjerët që kjo temë të mos kthehet në kauzë politike. Tash nuk flasim vetëm për kërkesë të partnerëve ndërkombëtarë që të zgjidhet demarkacioni, por kemi gjithnjë e më shumë kërkesë të qytetarëve që të ecet tutje me këtë proces, kur dihet se kemi të bëjmë me një fqinj me të cilin i kemi raportet shumë të mira”, ka shtuar Pajaziti. /Telegrafi/