LAJMI I FUNDIT:

KOSST: Rryma në veri do të paguhet njësoj sikurse në pjesën tjetër të Kosovës

KOSST: Rryma në veri do të paguhet njësoj sikurse në pjesën tjetër të Kosovës

Operatori i Sistemit, Transmisionit dhe Tregut i Kosovës (KOSTT) njoftoi se nga 1 janari i vitit 2024, në katër komunat në veri të Kosovës ka nisur të regjistrohet energjia elektrike e shpenzuar.

Kryeshefi i KOSTT, Evetar Zeqiri, tha se energjia e konsumuar në pjesën veriore të Kosovës, do të paguhet njësoj sikurse në pjesën tjetër të shtetit.


“Me 1 janar 2024, duke filluar nga 00:01’, furnizuesi Elektrosever Sh.P.K, kompani e licencuar dhe e regjistruar sipas ligjeve të Republikës së Kosovës, ka filluar të nominojë energjinë për katër komunat e veriut. Pra ka filluar të marrë përgjegjësinë për konsumin e energjisë në veri. Pas më shumë se 20 viteve, energjia e konsumuar në pjesën veriore do të paguhet njësoj sikurse në pjesën tjetër të territorit të vendit”, u shpreh Zeqiri.

Bislimi: Nga sot nis pagesa e energjisë elektrike në veri
Lexo po ashtu Bislimi: Nga sot nis pagesa e energjisë elektrike në veri

Ai ka treguar dhe funksionimin e nominimit për katër komunat veriore.

“Fotografia e parë (në të majtë) tregon periudhën rreth 1 orë para orës 12:00h, para fillimit të nominimit. Ndërsa fotografia e dytë (në të djathtë) tregon kohën diku rreth 6 minuta pas fillimit të nominimit. Vërehet menjëherë një nivel i devijimeve të pa qëllimshme dukshëm më i ulët, pra afër zero”, shkroi ai.

Ndërkaq, Elektrosever është në pronësi të kompanisë energjetike të Serbisë, EPS (Elektroprivreda Srbije).

Kjo kompani mori licencën për operim nga Zyra e Rregullatorit për Energji e Kosovës (ZRRE) më 24 qershor të vitit 2023.

Më 21 qershor të po atij viti, Kosova dhe Serbia e nënshkruan udhërrëfyesin për zbatimin e Marrëveshjes për Energji, që ishte arritur më 2013 në kuadër të dialogut të ndërmjetësuar nga Bashkimi Evropian.

Por, as marrëveshja e as udhërrëfyesi nuk gjetën zbatim. Marrëveshja e nënshkruar në kuadër të dialogut synon rregullimin e çështjes së furnizimit dhe faturimit të energjisë elektrike për katër komunat në veri të Kosovës: Mitrovicë e Veriut, Zveçan, Leposaviq dhe Zubin Potok./Telegrafi/