LAJMI I FUNDIT:

Pacolli: Këtë vit nuk do të ketë rritje ekonomike 7-8 % ashtu siç po pretendojnë

Pacolli: Këtë vit nuk do të ketë rritje ekonomike 7-8 % ashtu siç po pretendojnë

Kryetari i Aleancës Kosova e Re (AKR) Behgjet Pacolli është shprehur pesimist rreth paralajmërimeve për rritje ekonomike mbi 7 për qind në Kosovë.

Përmes një postim në Facebook ka thënë se Kosova këtë vit ka gjasa të ruajë rritjen e saj ekonomike prej rreth 5 për qind, e cila është mesatarja e dy vjetëve të fundit e arritur falë remitencave të diasporës.


“Lexova që  po pretendohet se në Kosovë do të ketë  rritje të ekonomike  mbi 7% në krahasim  me  vitin e kaluar. Vitin e kaluar kemi pasur një stagnim të ekonomisë për shkak të zgjedhjeve, ndryshimit të qeverive dhe pandemisë. Edhe pse ky krahasim nuk mund të jetë krahasim i mirë, prapë se prapë, për fat të keq këtë vit nuk do të ketë rritje ekonomike 7 apo 8 % ashtu si po pretendojnë”, ka shkruar Pacolli.

Sipas tij, investimet direkte që ndikojnë në ngritjen e standardit të jetesës, kulturës dhe edukimit të qytetarëve.

“Investimet në infrastrukturë si dhe investimet në progresin teknik në përgjithësi, që ndikojnë drejtpërdrejti në rritjen e sasisë dhe cilësisë së produkteve të vendit, e që janë veprimet  kryesorë që kushtëzojnë rritjen ekonomike të një vendi”, u shpeh ai.

“Nëse këto zbërthehen, tregojnë se këtë vit në Kosovë nuk ka pasur investime të rëndësishme që kanë ndikuar në përmirësimin e jetës së qytetarëve,n uk janë krijuar vende pune në masën e pretenduar, nuk ka pasur rritje të pagave ( hyrave), nuk ka pasur rritje të pensioneve ( përveç  premtimeve për ndonjë ndihmë), nuk ka pasur krijime të reja të operatorëve ekonomik, nuk ka pasur  të hyra  shtesë  për shtetin (përveç remitancave)”, ka shtuar Pacolli.

Tutje, tha se i gjithë viti 2021 karakterizohet me ngecje të investimeve në infrastrukturë, nuk ka pasur ndërtime të reja infrastrukturore (të çfarëdo lloji) apo edhe riparime të dëmeve nga përmbytjet e vitit të kaluar.

“Gjithashtu nuk ka asnjë shenjë se ka ndryshime të mëdha në rritjen e PBB-së krahasuar me vitin e kaluar kur ekonomia e vendit filloi të ngecë”, vazhdoi ai.

Pacolli konsideron se tendenca për të krijuar narrativën se ka rritje ekonomike, (që bazohet në rritjen e çmimeve të produkteve bazë, pa rritur të hyrat) është thjesht një “simulim” apo një tendencë për të bindur se ka rritje të produktivitetit…, e sipas tij kjo nuk është rritje reale ekonomike.

“Kosova këtë vit ka gjasat të ruaj rritjen ekonomike afër 5%, që është mesatarja e dy viteve të fundit edhe atë fal vëllimit të remitencave e jo faktorëve të rëndësishëm që përmenda më lart”, shkruan Pacolli.

Ky reagim i Pacollit erdhi pasi, kryeministri i Kosovës, Albin Kurti tha se po beson se nëse vazhdohet me këtë rritje ekonomike Kosova do t’i afrohet edhe Kroacisë.

Kurti ka deklaruar se ky vit ka qenë me shumë shpresë dhe optimizëm për qytetarët, duke rezultuar edhe me rritje ekonomike.

Kurti: Kosova do t’i afrohet Kroacisë me rritje ekonomike
Lexo po ashtu Kurti: Kosova do t’i afrohet Kroacisë me rritje ekonomike

“Duke u bazuar në të dhënat e BQK-së, ekonomia e vendit tonë sivjet do të rritet për 9,9 për qind. Pra, praktikisht për herë të parë do të kemi rritje dyshifrore të përqindjes së bruto-produktit vendor për ekonominë tonë. Këtë vit Kosova e ka filluar me një tkurrje ekonomike prej 3,1 për qind sipas Bankës Botërore, e tash sipas BQK-së do të arrijmë realisht në rritje dyshifrore apo 10 për qind”, ka thënë Kurti. /Telegrafi/