Pabarazi në paga, SPAK kërkon nga kryetarët e komunave zbatim të njëjtë të ligjit

Sindikata e Pavarur e Administratës së Kosovës (SPAK) u ka dërguar një kërkesë zyrtare të gjithë kryetarëve të komunave të vendit, duke kërkuar harmonizimin e vendeve të punës dhe pagave brenda shërbimit civil komunal, në përputhje me Ligjin për Pagat në Sektorin Publik.
Sipas SPAK-ut, pavarësisht hyrjes në fuqi të ligjit, në shumë komuna vazhdojnë të ekzistojnë pozita të njëjta apo të ngjashme që paguhen ndryshe, çka krijon pabarazi, demotivon punonjësit dhe ndikon negativisht në cilësinë e shërbimeve publike.
Sindikata thotë se kjo bie ndesh me parimet ligjore të transparencës, barazisë dhe pagesës së njëjtë për punë të njëjtë, përcjell Telegrafi.
Në letrën e nënshkruar nga kryetari i SPAK-ut, Ali Gashi, komunave u kërkohet: të realizojnë analizë të plotë të pozitave të punës ku ekzistojnë dallime të pajustifikuara në paga; të nisin pa vonesë procesin e harmonizimit të pagave, duke siguruar trajtim të barabartë për të gjitha pozitat e ngjashme në nivel vendi; të krijojnë mekanizma monitorimi për të shmangur mospërputhje të tjera në të ardhmen; të raportojnë në kohë reale për veprimet dhe hapat e ndërmarrë.
SPAK paralajmëron se mospërputhjet aktuale kanë ndikim të drejtpërdrejtë në motivimin e punonjësve komunalë dhe në performancën e institucioneve.
Sindikata shprehet e gatshme të kontribuojë me ekspertizë profesionale në secilën fazë të procesit.
“Respektimi i ligjit dhe barazia në pagesë janë detyrim institucional, jo opsion”, thuhet në reagim. /Telegrafi/


















































