Pa kuorum në kryesi, Basha: Nuk ka logjikë që të bllokohet Kuvendi për një nënkryetar

Kryetari i Kuvendit të Kosovës, Dimal Basha ka folur para mediave pas dështimit të takimit konsultativ të kryesisë së Kuvendit.
Basha para mediave bëri të ditur se ky takim dështoi për shkak të mospjesëmarrjes së nënkryetares Vlora Çitaku nga PDK dhe nënkryetarit Kujtim Shala nga LDK.
“Siç e patë në këtë mbledhje të kryesisë nuk kanë marrë pjesë dy nënkryetar nga subjektet politike, rrjedhimisht nuk kem pas kuorum dhe është pamundësi mbledhja e kryesisë”, ka thënë Basha.
Ai bëri të ditur se para këtij takimi ka zhvilluar takim me presidenten Vjosa Osmani ku e ka njoftuar lidhur me zhvillimet në seancën konstituive.
“Kam pasur një takim me presidenten Vjosa Osmani në orën 12:00. Takimi ishte takim njoftues, ku kam kërkuar ta njoftoj me seancën konstituive dhe t’ia shpjegoj arsyet e mia për konstituimin e Kuvendit”, tha Basha.
Basha theksoi se na duhet një bashkëpunim institucional, dhe se e ka parë të arsyeshme me njoftu presidenten para se të dal para qytetarëve.
Kryeparlamentari shtoi se Kuvendi nuk bënë të mbetet jofunksional për shkak të moszgjedhjes së një nënkryetari.
“Si kryetar i kam ezauruar të gjitha pikat e rendit të ditës dhe kam përgjegjësi që ta funksionalizoj Kuvendin. Kam vlerësuar që është shumë e rëndësishme që të mos e bllokojmë shtetin për shkak të moszgjedhjes së një nënkryetari, por të vazhdojmë me punën e Kuvendit për shkak se është ezauruar pika e 4”, tha Basha.
Basha tha se nuk ka mundur të marrë asnjë hap tjetër pasi që të 10 kandidatët nga komuniteti serb i janë nënshtruar votimit por asnjëri si ka marrë votat e mjaftueshme për nënkryetarë.
“Për mua nuk ka logjikë që të bllokohet Kuvendi i Republikës për shkak të një nënkryetari”, u shpreh Basha.
Ai shtoi se e rëndësishme është që të vazhdoj rrjedhja e afateve dhe caktimi i mandatarit për formimin e Qeverisë së re.
“Të kemi institucione funksionale siç na presin qytetarët, por kemi edhe trysni dhe kërkesa nga miqtë tanë ndërkombëtar që të vazhdoj puna e Kuvendit”, tha Basha. /Telegrafi/

































