Një eksperte e modës ka deklaruar se fakti që Sean 'Diddy' Combs paraqitet në gjykatë me xhemper, ka një domethënie të rëndësishme për strategjinë e mbrojtjes së tij në gjyq. Ndërkohë që disa të akuzuar shfaqen në sallën e gjyqit me uniformë burgu, Combs ka marrë leje të veshë rroba civile.

Sipas raportimeve të E! News, ai ka të drejtë të ketë me vete pesë këmisha, pesë palë pantallona, pesë palë çorape, pesë xhemperë dhe dy palë këpucë gjatë gjithë procesit gjyqësor. Kjo lejohet për shumë të akuzuar në mënyrë që të mos ndikohen paragjykimet e jurisë, pasi uniforma e burgut mund të krijojë një perceptim negativ ndaj të pandehurit.


Edhe pse kamerat nuk lejohen në sallën e gjyqit, gazetarët vizatimorë të pranishëm realizojnë skica për Reuters që tregojnë atmosferën dhe paraqitjen e Combs gjatë seancave.

xhem3 scaled

Në këto skica vihet re se flokët e tij janë thinjur dukshëm, pasi në paraburgim nuk ka qasje në ngjyrues flokësh. Ai zakonisht paraqitet me kombinime të thjeshta këmishë-xhemper – një stil shumë i ndryshëm nga ai luksoz dhe ekstravagant me të cilin publiku e ka parë më parë.

Një gazetar i The Independent e përshkroi madje si "të pamundur për t’u njohur". Sipas The Washington Post, tri vizatueset që po realizojnë skicat e këtij gjyqi kanë dokumentuar edhe të famshëm të tjerë në procese gjyqësore si Donald Trump, Harvey Weinstein, Woody Allen, R. Kelly dhe Ghislaine Maxwell.

Ato kanë thënë se fytyra e Combs është “e vështirë për t’u vizatuar” pasi nuk ka shumë tipare të theksuara, ndonëse “vetullat janë shumë ekspresive”. Thuhet se vetë Combs nuk është aspak i kënaqur me skicat – sipas Law&Crime Network, ai mendon se duket “si një koalë”.

Në shumicën e skicave, ai paraqitet me xhemper, dhe sipas kritikes kryesore të modës në The New York Times, Vanessa Friedman, kjo nuk është rastësi. Ajo thekson se Combs “nuk duket fare si Sean Combs për të cilin flitet në akuza”, dhe e përmend strategjinë e njohur si “mbrojtja e nördit”.

Ky term u krijua nga avokati Harvey Slovis në vitin 1999, kur Combs u përball me një tjetër proces gjyqësor për posedim armësh – atëherë iu vendosën syze për t’u dukur më inteligjent dhe më pak kërcënues përpara jurisë. Friedman sugjeron se këtë herë mbrojtja po përdor “mbrojtjen e xhemperit” – përmes pamjes, po përpiqen të krijojnë një imazh më të butë dhe të distancuar nga akuzat për shfrytëzim seksual, trafikim dhe reket.

Combs i mohon të gjitha akuzat, por nëse shpallet fajtor, rrezikon burgim të përjetshëm. Gjatë gjyqit janë prezantuar fotografi të provave të sekuestruara nga policia në pronat e tij, janë përshkruar të ashtuquajturat festa “freak off”, dhe ish-partneret e tij kanë dëshmuar për sjelljen e tij.

Ndërkohë që juria dëgjon këto akuza të rënda, Friedman thekson se "edhe vetë xhemperët janë një dëshmi në favor të tij”.

Gjykatësi federal amerikan, Arun Subramanian, i ka bërë me dije jurisë se gjyqi pritet të zgjasë rreth tetë javë. Procesi ka nisur më 12 maj dhe aktualisht ndodhet në javën e pestë. Deri tani janë marrë në pyetje shumë dëshmitarë, dhe përfundimi i gjyqit do të varet nga koha që juria do të marrë për të arritur në një vendim. /Telegrafi/