Osmani pranon letrat kredenciale nga ambasadori i ri gjerman, Rainer Rudolph

Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani, pranoi sot letrat kredenciale nga ambasadori i ri i Republikës Federale të Gjermanisë në Kosovë, Rainer Rudolph.
Osmani i uroi ambasadorit Rudolph mirëseardhje dhe i dëshiroi suksese në mandatin e tij diplomatik në Kosovë.
Ajo shprehu mirënjohjen e thellë të institucioneve dhe qytetarëve të Kosovës për mbështetjen e vazhdueshme të Gjermanisë në të gjitha fazat e shtetndërtimit, forcimit të institucioneve demokratike dhe avancimit të pozitës ndërkombëtare të Kosovës.

“Gjermania ka qenë dhe mbetet një aleate e fuqishme e Republikës së Kosovës dhe një mbështetëse e palëkundur në procesin tonë drejt anëtarësimit në Bashkimin Evropian dhe NATO”, theksoi Osmani gjatë takimit.
Gjatë bisedës, u nënvizua rëndësia e forcimit të mëtejshëm të bashkëpunimit ekonomik ndërmjet dy vendeve, si dhe rolit të rëndësishëm të mërgatës kosovare në Gjermani, e cila përmes angazhimit të saj profesional dhe investimeve kontribuon në afrimin e mëtejshëm të marrëdhënieve dypalëshe.
Presidentja Osmani shprehu bindjen se gjatë mandatit të ambasadorit Rudolph, partneriteti ndërmjet Kosovës dhe Gjermanisë do të vazhdojë të thellohet në fusha të ndryshme me interes të ndërsjellë, në funksion të paqes, stabilitetit dhe zhvillimit demokratik në rajon. /Telegrafi/


















































