Osmani shpërndan 640 pako onkologjike për gratë që luftojnë kancerin e gjirit

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, ka vizituar Klinikën e Onkologjisë, ku për të katërtin vit me radhë janë shpërndarë pako onkologjike për gratë që po përballen me kancerin e gjirit.
Osmani tha se ky donacion prej 640 pakosh është një akt mbështetjeje dhe inkurajimi për secilën grua që ka luftuar me dinjitet, duke theksuar se “pas çdo plage ka jetë, shpresë dhe rifillim”.
“Në Klinikën e Onkologjisë, për të katërtin vit me radhë, i dhuruam pakot onkologjike për gratë që janë përballur në betejën me kancerin e gjirit. Ky donacion prej 640 pakosh është një mbështetje dhe inkurajim për secilën grua që ka luftuar me dinjitet, e një kujtesë se pas çdo plage ka jetë, shpresë dhe rifillim,” shkroi Osmani.
Presidentja theksoi se mbështetja për gratë e prekura nga kanceri nuk është veprim i një dite, por “një angazhim i përhershëm për dinjitetin, barazinë dhe shëndetin e tyre”.
Në këtë kauzë, Osmani tha se bashkëpunon ngushtë me shoqatën “Jeta/Vita” dhe Zonjën Nafije, si dhe me personelin shëndetësor që po bën një punë të jashtëzakonshme në përkrahje të pacienteve.
“Në çdo pako onkologjike ka një mesazh të qartë: Ti nuk je vetëm! Ti je e fortë! Ti mundesh!” përfundoi Osmani.

















































