Osmani: LDK-ja nuk kërkon pozita në pushtet, prioritet është shmangia e zgjedhjeve të reja

Ish-presidentja e Kosovës, tani deputete e Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), Vjosa Osmani, ka deklaruar se partia e saj nuk synon të marrë pjesë në pushtet dhe nuk kërkon asnjë pozitë politike, duke theksuar se prioritet mbetet shmangia e zgjedhjeve të reja dhe zgjedhja e presidentit të vendit.
Përmes një deklarate publike, Osmani tha se vendi ka nevojë për institucione funksionale dhe për një president që mbron Kushtetutën dhe interesin e shtetit.
“Lidhja Demokratike e Kosovës nuk kërkon asnjë pozitë e as pjesëmarrje në pushtet, me qëllim që të evitohen zgjedhjet e reja dhe t’i japim vendit President të Republikës që mbron Kushtetutën dhe vendin”, ka deklaruar Osmani.
Ajo theksoi se përgjegjësia politike nuk duhet të matet me pozitat e fituara, por me trashëgiminë që u lihet brezave të ardhshëm.
“Ne nuk jemi këtu vetëm për sot. Jemi, mbi të gjitha, këtu për gjeneratat që do të vijnë pas nesh dhe nuk duhet të na gjykojnë për pushtetin që e morëm, por për shtetin që ua lamë”, është shprehur ajo.
Osmani e cila ka qenë një mandat në krye të presidencës, pas zgjedhjeve kishte kërkuar që sërish të votohej si presidente për një mandat të dytë, por që nuk kishte pasur dakordim, pasi e kishte kundërshtuar Lëvizja Vetëvendosje.









































