OSBE: Moscertifikimi i Listës Serbe është largim nga standardet ndërkombëtare

Misioni i OSBE-së në Kosovë ka reaguar pas vendimit të Komisionit Qendror të Zgjedhjeve për të mos certifikuar Listën Serbe për zgjedhjet e 28 dhjetorit.
Në një deklaratë publike, OSBE ka shprehur zhgënjim dhe shqetësim të thellë lidhur me mënyrën se si disa përfaqësues të partive politike votuan në mbledhjen e KQZ-së.
Sipas misionit, refuzimi ose abstenimi për miratimin e kërkesës së Listës Serbe për certifikim “cenon të drejtën e subjekteve politike për të marrë pjesë në zgjedhje” dhe përbën “largim të qartë nga standardet elektorale të pranuara ndërkombëtarisht”.
OSBE ka kritikuar ashpër polarizimin politik brenda KQZ-së, duke thënë se sjellja votuese e disa anëtarëve duket e motivuar nga interesa partiake dhe jo nga kritere ligjore apo parime demokratike.
Sipas deklaratës, kjo qasje minon paanshmërinë dhe besueshmërinë e institucionit që ka për detyrë administrimin e procesit zgjedhor.
Misioni paralajmëron se vendime të tilla rrezikojnë të dëmtojnë besimin e publikut në zgjedhje dhe të krijojnë perceptimin se procesi ndikohet politikisht.
Në fund, OSBE u bën thirrje KQZ-së dhe aktorëve politikë të respektojnë profesionalizmin, paanshmërinë dhe standardet demokratike, që zgjedhjet e 28 dhjetorit të zhvillohen sipas praktikave më të mira ndërkombëtare.

















































