Nga: Kujtim Abdi

Për sa i takon origjinës së atit të Orfeut, njihen dy versione të ndryshme. Bir i muzës Kaliope me Hyun e Lumenjve, mbretin thrak Oiagros, ose me Hyun e Muzikës Apollon, që sipas Pindarit është ai që i dhuroi lirën e falur prej vëllait të tij Hermes. Në fakt, prodhimi i veglave të para muzikore i dedikohet perëndive. Si Hermesi lirën dhe pipëzën, kishte shpikur Athina flautin dhe Pani fyellin. Të vetmet ishin muzat që për instrument kishin zërin e tyre të pakrahasueshëm e pikërisht nën mësimin e tyre shumë shpejt Orfeu u bë një këngëtar, muzikant dhe poet i mrekullueshëm e si i tillë më i njohuri dhe më me zë i Greqisë së lashtë, pa rivalë, aq sa kur ai luante muzika dhe zëri e tij nuk magjepste vetëm perënditë dhe njerëzit, por deri dhe kafshët e egra nuk mund të rezistonin, deri dhe pemët e shkëmbenjtë të lëviznin nga vendi për t’ju afruar ta dëgjonin sa më pranë zërin e tij.

Reklama
Reklama

Natyra nën tingujt e tij ishte gjë tjetër, kafshët e egra bëheshin të buta nën këmbët e tij, lumenjtë ndryshonin rrjedhën për t’ju afruar zërit të tij, po ashtu kodrat, shkëmbinjtë përloteshin! Gjithçka me shpirt, apo pa shpirt lëvizte drejt tij!

Thuhet se Argonautët e morën me vete në anije në udhëtimin e tyre të famshëm ku ai me muzikën që luante i jepte kurajo të kalonin çdo vështirësi e duke zbutur shpirtrat e tyre kur grindeshin me njëri-tjetrin. Deri dhe era nën tingujt e lirës së tij shtynte më fuqishëm velat. Kujtohet se kur kaluan pranë ishullit të Sirenave ato të mahnitura nga tingujt e lirës ndiqnin anijen sqepmbyllur. Muzika e tij shpëtoi heronjtë Argonautë! Mbas kthimit u martua me Euridikën duke jetuar në vendlindjen e tij, por fatkeqësisht për fare pak kohë.

Reklama
Reklama

Fare pak ditë mbas martesës, ndërsa Euridike po shëtiste në lëndinën që gjendej pranë bregut të lumit, Peneius Aristaios tentoi ta dhunonte. Ajo e frikësuar vrapoi të shpëtonte dhe pa vënë re shkeli një gjarpër nga kafshimi i të cilit vdiq. Asgjë në botë nuk mund ta ngushëllonte më, as dhe muzika e tij dhe nga dashuria e madhe për të Orfeu vendosi të zbresë në botën e përtejme Tartaros ta merrte me vete përsëri Euridikën e ta sillte në botën e të gjallëve me sigurinë se dashuria është zoti më i fuqishëm, gjë që s’e kishte bërë ende asnjë i vdekshëm për dashurinë. Për këtë ndërmarrje, arma e tij e vetme ishte muzika, ndaj dhe mori me vete lirën me të cilën fillimisht mahniti varkëtarin Karon aq sa ai pa kuptuar e kaloi në anën e përtejme të lumit dhe kur u gjend në hyrjen e mbretërisë së të vdekurve, me muzikën e tij vuri në gjumë qenin e tmerrshëm Kerberos, duke hyrë aty ku nuk hynte asnjë i gjallë. Kur u paraqit përpara Hadit, sovranit të hijeve dhe filloi të luajë e gjithë mbretëria e vdekjes mori jetë në saj të asaj që çfaqte dashuria.

Reklama
Reklama

Tantali harroi etjen, Sizifi u mbështet i qetë mbas gurit, të gjitha fytyrat e tmerrshme të shtrigave u zbukuruan për herë të parë me lotë, i tërë ambienti mori një atmosferë festive dhe si i hipnotizuar Hyu i Hijes dhe i heshtjes thirri Euridikën dhe i dha leje ta merrte me vete e të dilte përmes shtegut të errët, por veçse Orfeu nuk duhet të kthente kokën ta shikonte deri sa të dilte dhe ajo në dritën e diellit. U duk se dashuria ishte e pamposhtur, por jo ndaj fatit! Euridika filloi të ngjiste shkallët në errësirë e drejtuar nga tingujt e lirës së tij dhe errësira sa vinte e bëhej më gri deri sa në atë të fundit i shkau këmba e lëshoi një klithmë. Orfeu i trembur ktheu kokën e në momentin që i zgjati dorën ta ndihmonte ajo ju zhduk përgjithmonë sikurse i kishin thënë po të mos respektonte konditën. Donte të rikthehej, por Hyjtë nuk të japin një mundësi të dytë! Duke qënë preh i dhimbjes dhe vetmisë më të madhe ai u rikthye në botën e të gjallëve.

Reklama

Ndonëse me dritën e diellit i ndodhi ta humbë përgjithmonë Euridikën megjithatë ai nuk e braktisi kurrë zakonin e tij të dilte çdo mëngjes në lindjen e diellit mbi majën e malit Pangaion e t’i këndonte himnet më të bukura që i përkushtoheshin Hyut të Dritës Helios, të cilin ai e quante Apollon. Miqtë e tij të vetëm që e shoqëronin në vetminë e pyllit ishin kafshët, pemët, gurët, lumenjtë, që e dëgjonin me përkushtim. Tekstet e tija kundër flijimit të kafshëve dhe të njerëzve dhe sidomos dashuria e pafundme për dritën e veçanërisht nderimi për Apollonin si hyu më i madh, i ngjallën mërinë Dionisit, i cili ndërseu mainadet kundër tij duke e vrarë atë në tempullin e Apollonit aty ku ai shërbente si prift. Nga urrejtja e bënë copa-copa duke ja shqyer trupit të gjitha gjymtyrët dhe kokën ja hodhën në lumin Hebros, por ajo nuk u fundos e notonte mbi sipërfaqe duke vazhduar të këndojë derisa lumi u derdh në det e valë mbas vale deri sa u pru në ishullin e Lesbos ku mrekullisht themeloi aty traditën e muzikës lirike me tekste poetike me pasardhëse Safon e shumë të tjerë. Po në këtë ishull, në tempullin e Apollonit, u pru të ruhej dhe lira e tij. Më pas me lutjen e Apollonit dhe të muzave e vendosi Zeusi lirën si yllësi në qiell.

Reklama
Reklama

Ndërsa pjesët e tjera të trupit ja mblodhën muzat e duke vajtuar i varrosën në Leibethra rrëzë malit Olimp ku që nga ajo ditë aty mblidhen bilbilat me zërin më të bukur të botës e këndojnë pa pushim.