Opozita: Thaçi s’ka edukatë

Kryeministri Thaçi një ditë më parë ka thënë për LDK-në se “sikur të ishte gjallë Ibrahim Rugova do të qeshej me partinë e tij antiamerikane”, ndërsa për AAK-në ka thënë se “edhe Ramush Haradinaj të ishte këtu, do të qeshte njëjtë me njerëzit që po e udhëheqin partinë e tij”.
Por kreu i Grupit Parlamentar të LDK-së, Ismet Beqiri, ka thënë se sikur të ishte gjallë Ibrahim Rugova, atëherë Hashim Thaçi nuk do të ishte kryeministër dhe as nuk do të bëjë veprime të papërgjegjshme. “Unë i them se edhe kjo LDK, në zgjedhjet e ardhshme, do ta çojë Thaçin në shtëpi”, ka thënë Beqiri për KTV-në.
Ndërsa Sekretari i Përgjithshëm i AAK-së, Burim Ramadani, ka thënë se me etiketimet që po u bën së fundi partive politike, kryeministri Thaçi së pari tregon se është i paedukatë. Sipas tij, është Thaçi ai që po e bën botën të qeshë me Kosovën, ndërsa qytetarët e Kosovës të qajnë për Kosovën. /Telegrafi/







































