LAJMI I FUNDIT:

Opozita e quan sulm terrorist vrasjen e policit në veri – kërkojnë nga Beogradi të heqë dorë nga veprimet destabilizuese

Opozita e quan sulm terrorist vrasjen e policit në veri – kërkojnë nga Beogradi të heqë dorë nga veprimet destabilizuese

Liderët e tri partive opozitare në Kosovë, PDK, LDK e AAK kanë reaguar pas ngjarjes tragjike që ndodhi sot në veri të vendit, ku një polic mbeti i vrarë dhe një tjetër u plagos si pasojë e sulmit të armatosur nga disa persona të maskuar.

Kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës, Memli Krasniqi ka thënë se është i tronditur nga lajmi për vrasjen e një pjesëtari të Policisë së Kosovës dhe plagosjen e një tjetri, sot në pjesën veriore të Kosovës.


Krasniqi ka ngushëlluar familjen e policit, transmeton Telegrafi.

“I shpreh ngushëllimet më të thella familjes së policit të rënë në detyrë, ndërsa policit të plagosur i uroj shërim sa më të shpejtë. Sot, në këtë moment të dhembjes, qëndrojmë të bashkuar në përkrahje të policëve tanë, të cilët, përkundër sfidave ditore e sulmeve të bandave kriminale të kontrolluara nga Beogradi, po mbrojnë sovranitetin shtetëror në pjesën veriore të shtetit tonë”, pohoi ai.

Kreu i PDK-së ka ftuar të gjithë të dënojnë sulmin kriminal ndaj Policisë së Kosovës.

“Ftoj të gjithë që ta dënojnë fuqishëm këtë sulm kriminal kundër Policisë së Kosovës, që është sulm direkt kundër shtetit të Kosovës. Kërkoj nga organet përgjegjëse që hetimet e plota të bëhen sa më shpejt dhe përgjegjësit të sillen para drejtësisë për të marrë dënimet meritore”, ka shkruar Krasniqi.

Kryetari i LDK-së, Lumir Abdixhiku ka shkruar se ky është sulm terrorist ndaj Policisë së Kosovës.

Sulmohet me arsenal armësh policia në veri, mbetet i vrarë një rreshter
Lexo po ashtu Sulmohet me arsenal armësh policia në veri, mbetet i vrarë një rreshter

“Sulmi terrorist ndaj Policisë së Kosovës dhe vrasja e një polici në detyrë, janë sulme ndaj Republikës së Kosovës dhe vet rendit Kushtetues. Në emër të Lidhjes Demokratike të Kosovës, shprehi ngushëllimet më të thella familjes së policit të vrarë. Policit të plagosur, Alban Rashiti, ndërsa i uroj shërim të shpejtë”, ka shkruar Abdixhiku.

Ai ka shtuar se në këto momente të vështira për vendin, të gjithë jemi me Policinë e Kosovës.

“Jemi me djemtë e vajzat tona në detyrë në veri. Sulmet e bandave kriminale e terroriste me adresë nga Beogradi s’mund ta zmbrapsin Kosovën nga e drejta për vendosje të rendit, ligjshmërisë e vet sovranitetit. Institucionet e rendit e drejtësisë tē sjellin autorët e këtij krimi sa më parë para drejtësisë”, u shpreh Abdixhiku.

I pari i LDK-së ka theksuar se “në këto momente të vështira, Kosovës i duhen miq e aleatë. Me ta, bashkë, do të kapërcejmë secilën sfidë”.

Ndërkaq kryetari i AAK-së, Ramush Haradinaj ka theksuar se ky sulm terrorist është goditje e rëndë mbi paqen dhe stabilitetin edhe përtej Kosovës.

“Ky sulm terrorist është goditje e rëndë mbi paqen dhe stabilitetin jo vetëm në Kosovë por edhe në rajon! Beogradi duhet që urgjentisht të heqë dorë nga veprimet e veta destabilizuese e luftënxitëse me pasoja të paparashikueshme jo vetëm për Kosovën por edhe për Serbinë. Është investuar shumë për paqen dhe askush nuk do të lejohet ta rrezikojë atë”, ka thënë Haradinaj.

Ai ka ftuar organet tona të rendit për bashkërendim të veprimeve me KFOR dhe aleatët tanë të sigurisë të prirë nga Amerika, dhe të ndërmarrin të gjitha veprimet e nevojshme për ta zbardhur gjithë këtë situatë dhe për të sjellë para drejtësisë, përgjegjësit e këtij akti.

“Rendi dhe ligji s’ka alternativë! Ngushëllime për familjen e policit që humbi jetën dhe shërim të shpejtë për policin e plagosur!”, ka shkruar Haradinaj. /Telegrafi/