Sipas raportit mujor të Organizatës së Vendeve Eksportuese të Naftës (OPEC) kërkesa botërore për naftë do të rritet me një rekord prej 7 milionë fuçi në ditë në vitin 2021, ndërsa ekonomia do të mbetet nën nivelet e vitit 2019.

Raporti nuk përfshin në parashikim rreziqe të mundshme në vitin 2021, të tilla si tensionet tregtare SHBA-Kinë, nivele të larta borxhi apo edhe një valë të dytë të infeksionit në botë.

“Raporti supozon që COVID-19 do të përmbahet, veçanërisht në ekonomitë kryesore, duke lejuar rimëkëmbjen në konsumin dhe investimet private, të mbështetur nga masat stimuluese masive të ndërmarra për të luftuar pandeminë”, tha OPEC.

Çmimet e naftës ranë këtë vit pasi kërkesa botërore ra me një të tretën kur qeveritë vendosën masat kufizuese për të ndaluar përhapjen e virusit COVID-19.

OPEC tha që në vitin 2020 kërkesa për naftë do të bjerë me 8.95 milionë fuçi në ditë pak më pak sesa raportoi muajin e kaluar. /Telegrafi/