LAJMI I FUNDIT:

OEK: Votimi i demarkacionit hap mundësi të reja për bizneset vendore

OEK: Votimi i demarkacionit hap mundësi të reja për bizneset vendore

Oda Ekonomike e Kosovës (OEK) ka përgëzuar deputetët e Kuvendit të Kosovës për miratimin e Demarkacionit me Malin e Zi. Oda OEK-u vlerëson se ratifikimi do të hap shtigje të reja për Kosovën në shumë fusha, e në veçanti në zhvillimin ekonomik si dhe kthimin e kuptimit të ekonomisë së lirë dhe tregut të hapur bazuar në lëvizje të lirë të mallrave, shërbimeve dhe qytetarëve.

Nevoja për ndërkombëtarizimin e ndërmarrësisë vendore është urgjente me qëllim të përshpejtimit të proceseve integruese, përmbushje të kritereve në rrugëtimin evropian si dhe reformat e shumta institucionale brenda Kosovës.


“Votimi i djeshëm i demarkacionit për Kosovën do të thotë shumë, pasi që po i hapet një dritare e re për bashkëpunim dhe avancim të të gjitha proceseve. Deputetët e Kuvendit të Kosovës, vendosën që të shohin nga e ardhmja. Të gjithë deputetët e Kuvendit të Kosovës që i thanë po ratifikimit të Marrëveshjes së Demarkacionit me Malin e Zi, kontribuuan në konsolidimin e shtetësisë së Kosovës dhe fuqizimin e subjektivitetit të saj ndërkombëtar”, thekson OEK në një komunikatë për media shkruan Telegrafi.

Sipas OEK-ut përfituesit më të mëdhenj janë bizneset e Kosovës, që për gati për dy dekada janë ballafaquar me shumë probleme që kanë të bëjnë me vizat.
Oda Ekonomike e Kosovës (OEK) si komuniteti më i madh i biznesit në Kosovë, do të jetë në shërbim të të gjitha bizneseve të Kosovës për avancimin dhe konsolidimin e tyre që të jenë sa më afër Evropës.

“Por, duhet te kuptohet se vet votimi i ratifikimit të Demarkacionit nuk është një shkop magjik i zgjedhjes së problemeve të grumbulluara në veçanti në tri vitet e fundit sepse na presin sfida të rëndësishme, sidomos sundimi i rendit dhe ligjit, reforma të administratës publike, zhvillimi ekonomik dhe social, kriteret në rrugëtimin integrues dhe mbi te gjitha angazhim substancial në ndryshimin e percepcionit të krijuar për Kosovën dhe përmirësimin e imazhit të saj”. /Telegrafi/