Oda Ekonomike-RMV: Bllokadat e transportuesve nuk janë zgjidhje, rrezikojnë zinxhirët e furnizimit

Sistemi i ri evropian për hyrje dhe dalje (EES) ka filluar të zbatohet gradualisht nga 12 tetori 2025. Bëhet fjalë për një platformë të re digjitale që regjistron hyrjet dhe daljet nga zona Schengen për shtetasit e vendeve jashtë saj. Sistemi mbledh të dhëna biometrike, përfshirë fotografinë dhe gjurmët e gishtërinjve, si dhe informacione nga dokumentet e udhëtimit. Me zbatimin e EES, vulat në pasaporta hiqen, pasi të gjitha të dhënat do të regjistrohen elektronikisht. Sistemi do të monitorojë automatikisht nëse një udhëtar e ka tejkaluar qëndrimin e lejuar prej 90 ditësh brenda 180 ditëve në zonën Schengen.
Sistemi do të aplikohet edhe për qytetarët e Ballkanit Perëndimor që udhëtojnë pa vizë drejt vendeve të Bashkimit Evropian. Zbatimi progresiv do të zgjasë deri më 9 prill 2026, ndërsa nga 10 prilli 2026, sistemi do të jetë plotësisht funksional në të gjitha pikat e jashtme kufitare të vendeve që e përdorin atë. Kjo nënkupton se nga muaji prill, edhe transportuesve që kryejnë transport mallrash me kamionë do t’u lejohet qëndrimi në zonën Schengen maksimumi 90 ditë. Ky vendim ka nxitur protesta dhe bllokada nga ana e transportuesve në disa vende të Ballkanit Perëndimor.
Nga Oda Ekonomike e Maqedonisë së Veriut vlerësojnë se bllokadat nuk janë zgjidhje, duke paralajmëruar pasoja serioze ekonomike, përfshirë edhe penallti për dërgesë të vonuar, anulim të marrëveshjeve, prodhim i pakësuar, eksport i parealizuar dhe pamundësi për prodhim me kohë për shkak të mungesës së lëndës së parë.
Më tej, odat ekonomike nga Ballkani Perëndimor i kanë bërë thirrje Komisionit Evropian të miratohen masa të përkohshme, të cilat do t’u mundësonin shoferëve profesionistë të kryejnë pa pengesa transportin ndërkombëtar rrugor, deri në gjetjen e një zgjidhjeje të përhershme sistematike./Shenja/




















































