Oda Ekonomike Kosovaro-Gjermane promovon Kosovën si destinacion për investime në Gjermani

Kosova do të prezantohet këtë nëntor në qytetet kryesore të Gjermanisë si një destinacion i ri për investime dhe bashkëpunim ekonomik.
Drejtori ekzekutiv i Odës Ekonomike Kosovaro-Gjermane, Besnik Vasolli, tha për “Përballje Podcast”, që përkrahet nga kompania e derivateve EXFIS se qëllimi i këtyre vizitave është prezantimi i potencialit ekonomik të vendit dhe tërheqja e investitorëve gjermanë.
“Do të jemi në Stuttgart më 7 dhe 8 nëntor, në Frankfurt më 17 dhe 18 nëntor, dhe në Hamburg më 28 dhe 29 nëntor. Të gjitha këto vizita janë për të promovuar Kosovën”, tha Vasolli.
Ai shtoi se fokusi i aktiviteteve do të jetë te kompanitë e sektorit të teknologjisë së informacionit dhe komunikimit (EICT), energjisë së ripërtëritshme dhe industrisë kreative, fusha ku Kosova ka potencial të madh zhvillimi.
“Do ta promovojmë ITP-në e Prizrenit si qendër inovacioni dhe zhvillimi teknologjik, dhe do të mundohemi t’i bindim kompanitë gjermane të vizitojnë Kosovën dhe të shohin nga afër sa e gatshme është për biznese”, shtoi ai.
Gjatë këtyre vizitave, Oda planifikon takime direkte me biznese, si dhe vizita në kompani dhe hapësira inovative në Kosovë, për t’i prezantuar mundësitë konkrete për bashkëpunim.
Vasolli theksoi se kjo nismë është pjesë e një agjende më të gjerë promovuese, që do të kulmojë me Forumin Ekonomik të Kosovës, i cili pritet të mbahet në Prishtinë në vjeshtë të vitit të ardhshëm.
“Qëllimi është që ta afrojmë diasporën dhe bizneset gjermane me tregun e Kosovës dhe t’i kthejmë remitencat në investime produktive”, përfundoi Vasolli. /Telegrafi/
- YouTube www.youtube.com

















































