LAJMI I FUNDIT:

OBSH: Pluhuri i talkut dyshohet se shkakton kancer tek gratë

OBSH: Pluhuri i talkut dyshohet se shkakton kancer tek gratë

Agjencia e kancerit e Organizatës Botërore të Shëndetësisë (OBSH) vlerësoi sot se pluhuri i talkut është “ndoshta kancerogjen” për njerëzit, por një ekspert i pavarur paralajmëron se njoftimi nuk duhet të keqinterpretohet në fillim dhe të merret si diçka që shërben si provë.

Vendimi bazohet në “prova të kufizuara” që pluhuri i talkut mund të ndikojë në zhvillimin e kancerit të vezoreve tek gratë, “prova të mjaftueshme” që lidhet me zhvillimin e kancerit tek minjtë dhe “prova të forta mekanike” që ka shenja të kancerogjenitetit të tij në qelizat njerëzore, njoftoi Agjencia Ndërkombëtare për Kërkimin e Kancerit (IARC) me qendër në Lion.

Talku është një mineral natyral që përdoret shpesh për të bërë pluhur për fëmijë. Shumica e njerëzve janë të ekspozuar ndaj talkut në formën e pluhurit për fëmijë ose kozmetikës, thuhet në deklaratën e IARC.


Por ekspozimi më i madh ndaj talkut është në momentin kur ai nxirret, përpunohet apo përdoret për të prodhuar produkte të tjera, thuhet në njoftim.

Është e mundur që talku në studime të jetë i kontaminuar

Duhet mbajtur mend se pluhuri i talkut është një mineral natyral i përbërë nga magnez, silikon, kalcium dhe oksigjen dhe karakterizohet nga një erë e butë dheu. Nuk tretet në ujë, alkool apo vajra, gjë që i jep karakteristika të veçanta dhe aplikim të gjerë në kozmetikë.

Agjencia thekson në njoftimin se ka studime të shumta që tregojnë vazhdimisht rritje të shkallës së kancerit të vezoreve tek gratë që përdorin ose kanë përdorur pluhur talk në organet e tyre gjenitale.

Në të njëjtën kohë, publikimi nuk përjashton mundësinë që pluhuri i talkut në disa studime të jetë i kontaminuar me asbest, i cili është shkaktar i drejtpërdrejtë i kancerit, shkruan france24.

“Roli shkak-pasojë i pluhurit të talkut në raste të tilla nuk mund të përcaktohet plotësisht”, rezultatet e hulumtimit të agjencisë u publikuan në revistën profesionale The Lancet Oncology.

Eksperti i pavarur: Kjo nuk është provë përfundimtare

Kevin McConway, statistician në Universitetin e Hapur të Britanisë, i cili nuk ishte i përfshirë në hulumtim, paralajmëroi se në rastin e vlerësimit të IARC, “interpretimi më i dukshëm është në të vërtetë i gabuar”. Ai thekson se “qëllimi i Agjencisë është t’i përgjigjet pyetjes nëse një substancë ka potencial të shkaktojë kancer në kushte të paspecifikuara apo të specifikuara nga IARC”.

Duke qenë se studimet e kryera kanë qenë vëzhguese, prandaj nuk kanë mundur të vërtetojnë një lidhje shkak-pasojë, të dhënat e paraqitura nuk duhet kuptuar si diçka që mund të shërbejë si provë përfundimtare.

Njoftimi vjen vetëm disa javë pasi gjigandi amerikan farmaceutik dhe kozmetik Johnson & Johnson ra dakord të paguante 700 milionë dollarë për të zgjidhur përfundimisht akuzat se mashtronte klientët në lidhje me sigurinë e produkteve të kompanisë me bazë talk.

Kompania Johnson & Johnson nuk pranoi se ka abuzuar, megjithëse e tërhoqi produktin nga tregu i Amerikës së Veriut në vitin 2020.

Sipas një përmbledhjeje studimi të publikuar në vitin 2020 raportohet se në hulumtim janë përfshinirë 250 mijë gra nga Shtetet e Bashkuara, nuk u vendos asnjë lidhje statistikore midis përdorimit të pluhurit talk në organet gjenitale të grave dhe rrezikut të zhvillimit të kancerit ovarian.

Të premten, IARC e klasifikoi përbërjen kimike akrilonitrilin, i cili përdoret për të bërë polimere, si “kancerogjen për njerëzit”, niveli më i lartë paralajmërues i agjencisë.

Ka “prova të mjaftueshme” që lidhin akrilonitrilin me zhvillimin e kancerit të mushkërive. Polimeret e përbëra nga akrilonitrili përdoren për të bërë sende të ndryshme – nga fibrat në veshje deri te qilimat, plastika dhe produkte të tjera të konsumit. /Telegrafi/