Objekt i ri për Batalionin III të Forcave të Armatosura, Vengu prezanton investimin modern në Pocestë

Ministri i Mbrojtjes, Pirro Vengu, ka ndarë sot pamje nga Pocesta, ku vijojnë punimet për ndërtimin e shtëpisë së re të Batalionit III të Këmbësorisë. Ai theksoi se investimi është pjesë e vizionit për modernizimin e Forcave të Armatosura.
“Mirëmëngjes nga Pocesta, ku ecin me ritme të shpejta punimet për shtëpinë e re të Batalionit III të Këmbësorisë,” shkroi ministri.
Sipas Vengut, godina e re do të jetë një hapësirë moderne, e projektuar për të përmbushur të gjitha nevojat e efektivëve gjatë përditshmërisë së tyre ushtarake.
“Një godinë moderne që do të përfshijë të gjitha ambientet e nevojshme për përditshmërinë e efektivëve: salla brifingu, klasa, zyra, ambiente rekreacioni dhe hapësira teknike – kushte më të mira stërvitore dhe pune, një nyje e re në infrastrukturën ushtarake të vendit,” deklaroi ai.
Ministri shtoi se qasja e institucionit që drejton mbetet e pandryshuar: “Vijojmë të investojmë me standarde dhe vizion për Forcat e Armatosura të së ardhmes.”
Punimet pritet të përfundojnë brenda afateve të planifikuara, duke sjellë një infrastrukturë bashkëkohore në shërbim të trupave të Foracve të Armatosura. /Telegrafi/

















































