Duke folur gjatë një diskutimi në internet, Obama tha se sulmet me avionë pa pilot janë përdorur për të vënë në shënjestër al-Qaedan dhe ndihmësit e saj, dhe se shumë nga sulmet kanë qenë në zonat fisnore gjysmë-autoktone të Pakistanit në kufi me Afganistanin.

Sipas presidenti Obama, operacionet përdoren “për sulme shumë precize”. Ai tha se Shtetet e Bashkuara nuk i autorizojnë sulmet pa i menduar mirë. Kjo, sipas tij, është një përpjekje e synuar dhe e përqendruar kundër “terroristëve aktiv” në zona të vështira për të vepruar.


Pas komenteve të presidentit, një zëdhënës i ministrisë së Jashtme të Pakistanit i tha një agjencie franceze lajmesh se sulmet janë “të paligjshme, kundërproduktive dhe të papranueshme” me gjithë, atë që e quajti “avantazh taktik” të tyre, raporton VOA.

Qeveria e Pakistanit ka dënuar për një kohë të gjatë sulmet me avionë pa pilot si një shkelje të sovranitetit, por sulmet besoheshin se kryheshin me ndihmën e zbulimit të Pakistanit.

Deri të martën, zyrtarët amerikanë asnjëherë nuk kishin konfirmuar sulmet kundër militantëve në zonat fisnore të Pakistanit, por ato ishin konfirmuar si të tilla në mënyrë anonime në agjenci të ndryshme të medias. /Telegrafi/