LAJMI I FUNDIT:

OAK kërkon eliminimin e barrierave si pengesë e eksportit

OAK kërkon eliminimin e barrierave si pengesë e eksportit

Obligimi i bizneseve që kanë numër të madh të artikujve që për çdo lloj të produktit, edhe pse kanë përbërjen e njëjtë por dallojnë në peshë t’i kërkohet raporti i analizave me vulë të njomë, si pjesë e eleminimit të barrierave tregtare si dhe procedurat burokratike ishin disa nga pikat kyçe të cilat u diskutuan në takimin mes OAK-së dhe Autoritetit Kombëtar të Ushqimit në Shqipëri.

Në kuadër të këtij takimi u diskutuan kërkesat e bizneseve prodhuese të produkteve ushqimore që të mos kërkohet Raporti i Analizës për produktet, në rastin kur produkti është i njëjtë, mirëpo ndryshon vetëm në gram apo në formë, meqenëse kjo gjë jo vetëm që po iu merr kohë por ka edhe kosto shtesë financiare, përderisa gjatë eksportit në vendet e tjera kërkohet vetëm certifikata e cilësisë.


“Pra të mos ketë nevojë të bëhen analizat për të gjitha produktet, por Raporti i Analizës së njërës të vlejë edhe për produktet tjera me përbërje të njëjtë. Kjo do të ndikonte në kursim të shpenzimeve, por edhe të kohës për palët”, u tha ndër të tjera në takim.

Me këtë rast OAK theksoi se sfidat me të cilat prodhuesit e produkteve ushqimore të Kosovës po përballen gjatë bashkëpunimit me Shqipërinë, lirisht mund të themi që nuk i hasin me asnjë nga shtetet tjera në të cilat eksportojnë, madje kritere të tilla nuk u kërkohen as edhe nga shtetet anëtare të Bashkimit Evropian, andaj një gjë e tillë po vështirëson operimin e bizneseve jashtë vendit.

Gjatë këtij takimi, drejtori i Agjencisë së Ushqimit dhe Veterinës në Kosovë, Naser Krasniqi theksoi që barriera të tilla nuk aplikohen për bizneset nga Shqipëria, andaj është e rëndësishme që vendet tona të thjeshtësojnë sa më shumë procedurat dhe krijojnë lehtësira gjatë bashkëpunimit.

Ambasadori i Kosovës në Shqipëri Nait Hasani, theksoi që është e domosdoshme që marrëveshjet e nënshkruara mes Kosovës dhe Shqipërisë të ratifikohen në Kuvendin e Shqipërisë, në mënyrë që të zbatohen me përpikëri dhe të tejkalohen burokracitë e panevojshme.

Ndërsa, zëdhënësi i AUV-it, Lamir Thaçi shpalosi në detaje marrëveshjet e nënshkruara mes Kosovës dhe Shqipërisë, e të cilat nuk po zbatohen në praktikë, duke theksuar që operatorët ekonomik po hasin në vështirësi për shkak të këtij fakti.