LAJMI I FUNDIT:

O sa mirë që jam shqiptar o hej…

E fillova shkrimin me qëllim kësisoj që të bëjmë një dallim kapital se çfarë paraqet të qenunit shqiptar, e çfarë do të thotë eskivimi nga ky identitet. Pse është privilegj të qenunit pjesë e identitetit shqiptar? A është vështirë të jesh shqiptar sot apo jo?

Shteti si subjekt më i vjetër ka lindur para më se 6.000 vjetësh për së pari herë në Mesopotami, tek shoqëritë e para bujqësore. Mandej u përforcua në Kinë si shtet burokratik i trajnuar. Ndërsa shteti-komb, apo shteti i bazuar në komb ka lindur së pari herë në Francë, edhe atë në momentin kur inicohet Paqja e Wesfalisë e nxitur nga Franca apo e motivuar nga interesat kombëtare franceze, paqe kjo e cila vendosi sovranitetin si principin më të lartë dhe më domethënës i cili inkarnon me vete elementet demokratike.


Shteti-komb, projekt ky i lancuar nga Franca gjatë sundimit të kardinalit francez Rishelje, është edhe sot e kësaj dite si lajtmotiv dhe pararojë e çdo shteti dhe kombi. Kemi shtete të cilat përpos grupeve etnike të vetave përmbajnë edhe grupe etnike tjera. Këto shtete janë të prirura për të pasur më shumë probleme sepse rregullimi i konstelacioneve ndëretnike është më i vështirë dhe shoqërohet me probleme të shumta.

Ndërsa kemi shtete të cilat kombin e kanë prioritet dhe të cilat bazohen në modelin shteti- komb, dhe nxitojnë të theksojnë se janë shtete të pastra etnike, edhe pse të tilla shtete në kuptimin të pastra nuk ka askund. Por ku gjendemi në këtë debat neve shqiptarët si komb i fragmentarizuar në shumë shtete; Shqipëri, Kosovë, Maqedoni, Mal të Zi, Serbi (Kosovë Lindore) dhe Çamëri.

Shqipëria arriti të pavarsohet më 1912, ndërsa të fitojë njohjen ndërkombëtare vetëm me ndërhyrjen e Amerikës së Uilsonit më 1920 në Lidhjen e Kombeve. Por, Shqipëria u pamvarësua në sajë të sakrificave të shqiptarëve jo vetëm të Shqipërisë së sotme të cunguar, por edhe të shqiptarëve të Shqipërive tjera të vogla të cilat sot njihen me emra të tjerë si Kosova, Çamëria, Maqedonia etj.

Qysh atëherë u pa dhe shihet edhe sot e kësaj dite që është vështirë të krijohet shteti- komb shqiptar natyral, ashtu siç edhe duhet të jetë, por për hir të rrethanave atëherë të ndryshme historike nuk është krijuar. Por si arritëm neve të mbajmë identitetin tonë të pastër etnik me gjithë tentativat e ndryshme për të na përçarë edhe në aspekt të identitetit, ashtu siç padrejtësisht na ndanë në më shumë shtete.

Arritëm falë betimit në flamur, falë të qenunit koshient se jemi pasardhës të Ilirëve, dhe asaj se jemi këtu kur nuk kishte as kufi, as fqinjësi veç Iliri. Po të kërkojmë në botë njerëz të tillë si neve nuk mund të gjejmë dot. Pse? Sepse nuk mund të hasësh askund në një ndjenjë të fortë identiteti kombëtar sikurse tek shqiptarët.

Po të pyesësh një shtetas belg valon, pra i cili flet frëngjisht se vallë do të donte t`ia bashkëngjiste pjesën frënge të Belgjikës Francës, ai do të thoshte “jamais” kurrë. Sepse ndihet krenar që është belg. Ose një shtetasi zviceran frëngjisht folës, nuk do të donte të bashkohej me Francën, edhe pse flet frëngjisht. Njësoj është edhe tek gjermanët e Gjermanisë me ato të Austrisë.

Edhe pse këto shtete u bashkuan me forcë nga Hitleri, sot e kësaj dite fara e mbjellë e dallueshmërisë mes tyre vërehet fare lehte. Ndërsa tek shqiptarët jo. Jo sepse edhe një shqiptar i Kumanovës, edhe një i Vlorës, edhe një i Drenicës, ose Ulqinit zgjohen me ëndrrën e tyre shekullore të kenë shtetin-komb shqiptar të bashkuar dhe jo të ndarë apo fragmentarizuar.

Ku të shkosh në cilën do qoftë anë të Shqipërisë Natyrale has emrin Ilir, Kastriot, Shkumbin, Vjosa, Vlora, Dardan, Flamur etj. A nuk është kjo kënaqësi vallë? Secili shqiptar i të gjashtë Shqipërive të vogla është koshient për të kaluarën ilire, për luftërat e mbretëreshës Teuta, Agronit, Bardhylit e të tjerëve. Secili shqiptar është kryelartë me figurën e heroit tonë kombëtar Gjergj Kastriotit Skënderbeut. Edhe pse ka tentativa për të mitizuar këtë figurë ose për ta deformuar, ajo mbetet kryelartë dhe e pacenuar.

Secili shqiptarë është koshient dhe krenar për Pashain e Janinës, për Ali Pashën dhe luftërat e tij, për Lidhjen e Prizrenit, për Ismail Qemajlin, për Luigj Gurakuqin, për Isa Boletinin, për vëllezërit Frashëri, për Gjergj Fishtën, për Nolin, për Konicën, për Azem dhe Shote Galicën, për luftën nacional çlirimtare shqiptare, për shumë e shumë figura tjera të rralla, për të arritur deri tek heronjtë e kohërave të sotshme të Ushtrive Çlirimtare, me në krye Adem Jasharin për të cilin Bernard Kushner, ministër i Jashtëm i Francës, do të thoshte “Po të kishte çmim Nobel për luftë, kjo do ti takonte Adem Jasharit”.

Por për fat të keq çmim nobel për luftë nuk ka. Por çmim nobel për paqe ka. Këtë çmim e kanë prapë figura me gjak shqiptari. E kanë Nëna Jonë Tereza (Gonxhe Bojaxhiu), Ferid Murati. A thua a ka më mirë se ky komb 8 milionësh aq i vogël të nxjerrë bij dhe bija aq të mëdhenj dhe mëdha sikur të ishte 60 milionësh. A ka ndokund ndonjë figurë sikurse Adem Jashari i cili do të bëhet heroi i gjitha kohërave dhe i cili do të shihej me admirim edhe nga personalitete ndërkombëtare.

A ka ndokund komb i cili është aq i vogël në aspektin numeroz, por i madh në sistemin e marrëdhënieve ndërkombëtare, sepse nxori bij dhe bija aq të mëdhenj dhe mëdha që janë pjesë e pandashme e mozaikut të quajtur Shqipëri Natyrale. Cili komb nxori njerëz të penës të cilët e ngritën shqipen në rrokaqiej? A kanë Kadare të tjerët? Apo Fatos Kongol? Kanë njerëz si Rexhep Qosja? Kanë Ukshin Hot apo Adem Demaç? Kanë Luan Starovë apo Ali Ali? E shumë të tjerë që nuk po mund ti përmend se janë shumë. Jo nuk kanë.

Kanë figura si Dobrica Qosiq apo Blazhe Risteski të cilët afirmojnë deklarativisht se gënjeshtra është pjesë e pandashme e serbëve apo e maqedonasve dhe të cilët trillojnë rrena dhe prodhojnë fatkeqësi nëpër epoka të ndryshme historike. Dhe që kanë ksenofobi.

Andaj kushdo që tenton të cenojë këtë identitet të fortë do ta mallkojnë emrat e heronjve tanë për liri dhe bashkim kombëtar. Do ta mallkojë shqipja dykrenare. Nuk ka popull në botë që me gjithë diversitetin fetar ka arritur të jetë më i forti kombëtarisht. Shqiptari i vërtetë me gjithë fenë e tij muslimane, katolike apo ortodokse që e ka ndihet së pari njeri, e mandej shqiptar. Ai nuk të vret në besë, ai betohet për Zot e flamur. Ai flet shqip, mendon shqip. Ai reflekton guxim, krenari, stoicitet, vendosmëri, trimëri dhe mençuri.

Asnjë komb nuk është aq altruist sa kombi shqiptar. Nuk kemi cenuar lirinë e askujt, por nuk do të lejojmë të na cenohet liria. Ata që na e cenuan lirinë kanë përfunduar me turp. Këtë leksion e kanë marrë romakët, e kanë marrë mirë turqit, e kanë marrë mirë gjermanët dhe italianët, serbët dhe maqedonasit. Andaj me gjithë këto parametra a meritojmë të jemi shtet-komb shqiptar i pandarë? Përgjigjja ime është që PO. Po dhe vetëm Po. Në një formë apo në një tjetër po. Në formën e bashkimit njëherë e përgjithmonë nën një shtet- komb, apo nën emrin e integrimeve evropiane.

Pse po? Nuk kanë mundur të na ndajnë me shekuj dhe me mileniume, e do na ndajnë tani? Identiteti shqiptarë është një dhe vetëm një. Nuk ka identitet kosovar. Kosova është Shqipëri. Kosova është shtet, por përbëhet nga shumica kryesisht shqiptare. Maqedonia është shtet, por në asnjë shtëpi të shqiptarit nuk has flamur shtetëror, por has flamurin e shqiponjës me dy krena.

Andaj me gjithë sfidat dhe barrierat gjeografike, historike, diplomatike dhe politike, jemi një dhe vetëm një. Jemi shqiptarë, flasim shqip, shkruajmë shqip, këndojmë shqip, recitojmë shqip. Faleminderit nëna jonë që shqiptarë na ke lindë përgjithmonë. Vallë jua shtroj pyetjen retorike të gjithë lexuesve? A jeni krenar që jeni shqiptarë? Nga vet fakti që është pyetje retorike, përgjigjja dihet. Ajo është afirmativisht dhe kuptimisht, qartazi dhe prerazi PO.

Në trend

Më shumë
Arratiset Enver Sekiraqa, Policia ka informuar të gjitha vendkalimet kufitare

Arratiset Enver Sekiraqa, Policia ka informuar të gjitha vendkalimet kufitare

Drejtësi
Policët nepalez e ndaluan të riun, por mbetën pa fjalë kur ai u tregoi patentë shoferin

Policët nepalez e ndaluan të riun, por mbetën pa fjalë kur ai u tregoi patentë shoferin

Auto
Meç i madh i boksit mes Tyson Fury dhe Oleksandr Usyk - detajet minutë pas minute

Meç i madh i boksit mes Tyson Fury dhe Oleksandr Usyk - detajet minutë pas minute

Boks
Vetëm dy vende do të mbijetonin pas apokalipsit bërthamor - çka do t'i shpëtonte këto shtete

Vetëm dy vende do të mbijetonin pas apokalipsit bërthamor - çka do t'i shpëtonte këto shtete

Botë
Arrihet pajtueshmëri për tekstin përfundimtar të rezolutës për Srebrenicën

Arrihet pajtueshmëri për tekstin përfundimtar të rezolutës për Srebrenicën

Bosnja
Mbyllet sezoni në Bundesliga: Bayer Leverkusen me rekord, mësohen të gjitha verdiktet

Mbyllet sezoni në Bundesliga: Bayer Leverkusen me rekord, mësohen të gjitha verdiktet

Bundesliga
Kalo në kategori