Gazeta prestigjioze amerikane The New York Times i ka kushtuar një artikull avatarit shqiptar të njohur si Diella, e promovuar si ministrja e parë qeveritare në botë e krijuar nga inteligjenca artificiale, e cila synon të ndihmojë në luftën kundër korrupsionit në Shqipëri.

Sipas gazetës, Diella është shndërruar në simbol të përpjekjeve të kryeministrit Edi Rama për rritjen e transparencës, në kohën kur vendi synon anëtarësimin në Bashkimin Europian.


E veshur me kostume tradicionale dhe e pranishme në konferenca ndërkombëtare, ajo ka tërhequr vëmendje të gjerë mediatike si shembull i integrimit të inteligjencës artificiale në qeverisje.

Por, The New York Times thekson se nisma përballet me një paradoks të madh: drejtuesit e agjencisë shtetërore që krijoi Diellën janë vënë nën hetim për manipulim të tenderëve publikë.

Prokurorët e një njësie të posaçme hetimore kanë vendosur muajin e kaluar në arrest shtëpiak drejtoreshën e Agjencisë Kombëtare të Informacionit dhe zëvendësin e saj, të dyshuar për lidhje me një organizatë kriminale që dyshohet se ka manipuluar aplikimet për kontrata publike përmes intimidimit.

Agjencia administron edhe infrastrukturën digjitale shtetërore, përfshirë vetë Diellën.

Zyrtarët nuk janë akuzuar ende zyrtarisht, ndërsa kryeministri Rama ka deklaruar se do të përmbahet nga gjykimi, duke theksuar se “duhet të presim dhe të shohim”.

Në praktikë, Diella ndihmon qytetarët të aplikojnë online për shërbime shtetërore, duke shmangur procedurat e gjata dhe ryshfetin. Në fazën e ardhshme, ajo pritet të vlerësojë aplikimet për tenderë publikë, bazuar në të dhëna dhe algoritme, me mbikëqyrje nga auditorë.

The New York Times nënvizon se lufta kundër korrupsionit është një kusht kyç për anëtarësimin e Shqipërisë në BE. Një raport i Bashkimit Europian nga nëntori vlerëson disa përparime, por thekson se korrupsioni mbetet i përhapur në sektorët më të ndjeshëm, veçanërisht në prokurimet publike.

Ekspertë ndërkombëtarë kanë vlerësuar se Diella ka rritur efikasitetin dhe paanshmërinë në vendimmarrje, por mbeten skeptikë për ndikimin real të saj, sidomos pas akuzave ndaj zhvilluesve të sistemit.

“Ka skepticizëm, por fakti që hetimi nuk është fshehur tregon se problemi i korrupsionit po pranohet dhe po trajtohet”, ka deklaruar eksperti Andi Hoxhaj për gazetën amerikane.

Vetë kryeministri Rama ka theksuar se, pavarësisht mangësive dhe vështirësive, Shqipëria po përpiqet të luftojë korrupsionin.

“Kjo përpjekje, me të gjitha dobësitë e saj, është një hap i mirë”, ka thënë ai.