LAJMI I FUNDIT:

Numri i bizneseve të shuara, shqetësuese për ekonominë e vendit

Numri i bizneseve të shuara, shqetësuese për ekonominë e vendit

Trendi i shuarjes së bizneseve në Kosovë ka vazhduar edhe gjatë vitit 2019 ndërsa numri i bizneseve të shuara për një vit, po konsiderohet të jetë shqetësues për ekonominë e vendit. Vetëm në këtë tre mujor të këtij viti, janë shuar 552 biznese.

Vetëm në tre mujorin e parë të këtij viti, janë shuar 552 biznese në vend. Zëdhënësi në Ministrinë e Tregtisë dhe Industrisë, Elhami Ismajli në një përgjigje për Radio Kosovën ka bërë të ditur se trendi i shuarjes së bizneseve ka vazhduar. Në këtë tre mujor, thekson zëdhënësi Ismajli janë regjistruar 2 mijë e 776 bizneseve. Në vitin 2018 numri total i bizneseve të regjistruara gjatë vitit, ishte 9 mijë e 731 , përderisa janë shuar 1 mijë e 893 biznese.

Konkurrenca jo e drejtë dhe e ashpër, informaliteti, mungesa e sundimit të ligjit, interesi i lartë bankar dhe burokracia, janë problemet që listohen nga përfaqësuesit e bizneseve, e që ndikojnë që bizneset, kryesisht të vogla, të kenë trend të madh të shuarjes.

Kryetari i Aleancës Kosovare të Bizneseve, Agim Shahini, duke folur për Radio-Kosovën thotë se trendi i shuarjes së bizneseve vazhdon të jetë negativ ndër vite.

“Arsyet pse po mbyllen bizneset në Kosovë janë nga më të ndryshmet. Interesi i bizneseve të vogla ka rënë për shkak se të konkurrencës së ashpër të vinë nga kompanitë e mëdha, apo krijimi i një monopoli siç ata pretendojnë”, thotë Shahini.

Me shuarjen e bizneseve, thonë ata, po shuhen shumë vende të punës, e që po ndikon edhe në rritjen e shkallës së varfërisë në vend.

“Këtë e dëshmon fakti se shumë të rinj po presin para ambasadave për një vizë pune, për të shkuar drejt vendeve të BE-së për një të ardhme më të mirë. Të gjitha këto bëjnë që një biznes mos të jetë funksional dhe ato të mbyllen. Kemi informacione që disa prej tyre veç janë rrugës për Evropë, dhe tentojnë që të largohen. Kjo është një shqetësim sepse jo vetëm që po na ikin qytetarët, por edhe bizneset”, thotë Shahini.

Shahini vlerëson se shuarja e bizneseve, duhet të jetë sinjal alarmues për institucionet kosovare, për të ndërmarrë masa në përmirësimin e ekonomisë në vend. /Telegrafi/