“Nuk mjafton vetëm folklori”, Robelli kërkon kulturë dhe libra për të lidhur Kosovën me diasporën

Gazetari dhe publicisti Enver Robelli në “Përballje Podcast” tha se një nga boshllëqet më të mëdha mes Kosovës dhe diasporës është mungesa e një oferte të qëndrueshme kulturore, e cila do t’i lidhte më fuqishëm shqiptarët jashtë vendit me zhvillimet kulturore në Kosovë.
Ky podcast përkrahet nga kompania e derivateve EXFIS.
Robelli tregoi se së bashku me mik shqiptar ka themeluar në Zvicër shtëpinë botuese “Dora Distria”, me misionin për të krijuar ura të reja komunikimi kulturor dhe për ta sjellë letërsinë shqipe më afër gjeneratave të reja të diasporës.
“Diaspora ka nevojë për libra, kulturë, letërsi – jo vetëm valle e tubime patriotike. Jeta kulturore në diasporë ka mbetur tek tubimet patriotike dhe këngët popullore. Këto kanë vlerë, por kultura është shumë më tepër,” tha Robelli.
Ai theksoi se mungesa e librave, autorëve dhe eventeve kulturore të Kosovës në diasporë ka krijuar një hendek që tashmë duhet adresuar me qasje të organizuar.
Sipas tij, shtëpia botuese “Dora Distria” po synon të botojë vepra si në gjuhën shqipe, ashtu edhe në gjuhën gjermane:
“Shumë të rinj shqiptarë në Zvicër, Gjermani dhe Austri e kanë më të lehtë të lexojnë në gjermanisht. Prandaj duam të botojmë libra shqip të përkthyer, që ata dhe miqtë e tyre t’i kuptojnë historitë tona", ka shtuar ai.
- YouTube www.youtube.com
Ai tha se është jetike që vlerat letrare shqiptare të prezantohen për gjeneratat e lindura jashtë dhe për publikun ndërkombëtar.
Robelli shtoi se qëllimi i kësaj nisme nuk është vetëm botimi i librave, por krijimi i një platforme kulturore që do të sjellë aktivitete, prezantime dhe diskutime me autorë shqiptarë në Zvicër dhe vende të tjera të Evropës.
“Nëse ti nuk shkon te lexuesi, lexuesi nuk vjen te ti. Nëse shtëpitë botuese nuk shkojnë te diaspora, lexuesit nuk do të vijnë vetë. Sidomos jashtë vendit ku koha është e kufizuar,” u shpreh ai.
Robelli tha se jehona e deritanishme ka qenë shumë pozitive dhe se interesimi i komunitetit shqiptar në Zvicër për librat dhe autorët shqiptarë është më i madh sesa mendohej./Telegrafi/.


































