Nga: Aziz Nesin
Përktheu: Mërkur Alimerko

Ah, ti i poshtër! ... Nuk po kuptoja pse më shante ajo grua. Desha ta pyes: “Më falni, ç'ju kam bërë?” Por, e mbajta veten. Edhe shikon, pa le! Ta tregoja qejfin, por s'ma lejon edukata.


Autobusi ishte plot e përplot. Të gjithë m'i kishin mbërthyer sytë. Vendosa më mirë të mos flisja. Mirëpo, gruaja nuk e mbyllte gojën:

- Njeri pa cipë! ... Arrogant ! ... I poshtër ! ... Ku e di ai ç'është edukata! Menjëherë shihet se ç'njeri është!.. Nja dy herë desh i thashë: “Madam, ju lutem, mbajeni veten!” Por, prapë u përmbajta. Ptu, turiderr! Vetëm edukata ime, pa ta tregoja qejfin ...

U dëgjuan qortime:

- Turp! Ç'janë këto sjellje me gratë?

- Ç'bëni?

- Me siguri e ka shtrënguar. Mbase i ka shkelur këmbën?

- Ku e dini ju, mbase u ka dhënë liri duarve ...

Po të ndalonte autobusi do kisha zbritur. Kurse grua ja grinte pa pushim. Provo e mbaje ...

- I paturpshëm! Nuk di të sillet mirë! S'merr vesh se ç'janë gratë! Ç't'i bëj edukatës që s'ma lejon, pa ta tregoja unë ty! ...

E bela! ... Hajde de t'i kisha bërë gjë! ... U bëfsha gur në e preka as me gishtin e vogël ... Po edhe ta kisha prekur, unë ç'faj kisha? Në autobus të shtyrin nga të gjitha anët ...

- Edepsëz! Thuaj faleminderit që re me një grua të edukuar. Ndryshe ...

Unë u bëra ujë në djersë.

- Këta maskarenj hipin me qëllim kur është autobusi plot ... Unë ty ... Fati yt që jam grua me edukatë ...

Dukej sikur nuk po duroja më. Edhe gur po të isha, do të kisha plasur.

- Fati yt që jam grua me edukatë. Ndryshe të punoja qindin.

Në gjithë atë kallaballëk asnjë s'mbajti krahun tim. Të gjithë përkrahën atë:

- Me siguri do t'i ketë rënë më qafë.

- Sido që të thotë, ajo ka të drejtë!

- E mbushi kupën!

Gruaja në vend që të qetësohej, bërtiste akoma me zë më të lartë:

- Ah, ti i poshtër! Ah, maskara! Po të të ketë vajtur kaq shumë në tru, të jap një adresë dhe shko atje ... E kuptove? Për Zotin, ç't'i bëj edukatës sime ...

Tani e teproi. I kaloi të gjithë kufijtë. Duke shtyrë me bërryla hapa rrugën, iu afrova gruas dhe e kapa nga krahu:

- Madam - i thashë - më thoni, ju lutem, çfarë ju bëra?

Gruaja qeshi me të madhe:

- Njerëz, shikoni këtë surrat të mjerë e tullac! Edhe ky e mban veten për burrë. Nga na dole ti? Pse burrë je ti? Ty të fola unë? Hë, ç'gjë që të këllet krupën! Hiqu, or zgjebe! S'të foli njeri ty. I flas atij simpatikut të ri atje ...

Autobusi ndaloi në sheshin Taksim. Nuk më kujtohet si zbrita. Ndërsa gruaja vazhdonte të thërriste:

- Matufi! Pandehu se flisja për të ... S'ma lejon edukata, do dija unë si t'i përgjigjesha!

S'ka më keq se kjo moshë. Edhe gratë të shajnë ...