LAJMI I FUNDIT:

Nuk kalon rezoluta lidhur me vendimin e ZRRE-së për rritjen e çmimit të energjisë elektrike

Nuk kalon rezoluta lidhur me vendimin e ZRRE-së për rritjen e çmimit të energjisë elektrike

Me 20 vota për, 42 kundër dhe një abstenim, nuk ka kaluar rezoluta e propozuar për vendimin e Zyra e Rregullatorit për Energji për rritjen e çmimit të energjisë elektrike. Para kësaj pike, në rend të ditës ka qenë edhe votimi i propozim-rezolutës lidhur me shtrenjtimin e energjisë elektrike.

Shefi i Grupit Parlamentar të Partisë Demokratike të Kosovës, Abelard Tahiri ka njoftuar se pas vendosjes për tarifat e reja të energjisë elektrike, nuk ka kuptim rezoluta që kishin propozuar.


Ai ka tërhequr rezolutën për mos shtrenjtimin e rrymës, duke kërkuar anulimin e vendimit të ZRRE-së.

“Në këtë rezolutë kërkohet që të mos ndodhë shtrenjtimi i energjisë elektrike, tashmë kjo nuk ka kuptim që të vendoset në votim. Sepse shtrenjtimi i energjisë elektrike veçse ka ndodhur. Ndërsa, vazhdojmë te rezoluta tjetër e cila kërkon që ky vendim i ZRRE-së të anulohet. Pra, pikën e parë, rezolutën e parë të kësaj seance e tërheqim dhe vazhdojmë me rezolutën tjetër ku flasim për vendimin e ZRRE-së”, tha ai.

Në pajtim me grupet parlamentare, kryeparlamentari Glauk Konjufca tha se kanë vendosur që të shtyhen tri pika të rendit të ditës për seancat e ardhshme. Këto pika janë votimi në parim i Projektligjit 08/L-104 për ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit 03/L-040 për Vetëqeverisjen Lokale, shqyrtimi i parë i Projektligjit 08/L-063 për ndryshimin dhe plotësimin e ligjeve që kanë të bëjnë me racionalizimin dhe vendosjen e vijave llogaridhënëse të Agjencive të Pavarura dhe shqyrtimi i parë i Projektligjit 08/L-023 për ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit 03/L-064 për Festat Zyrtare në Republikën e Kosovës. /Telegrafi/