LAJMI I FUNDIT:

Nuk frikësohem nga shkarkimi, jam zëvendësministër i Kosovës e jo i Pacollit

Nuk frikësohem nga shkarkimi, jam zëvendësministër i Kosovës e jo i Pacollit

Zëvendësministri i Punëve të Jashtme të Kosovës, Gjergj Dedaj, ka thënë se nuk frikësohet nga mundësia e shkarkimit, pas deklaratave të tij se Kosova nuk duhet të anëtarësohet në Organizatën e Bashkëpunimit Islamik.

Në Info Magazine të Klan Kosova, ai ka deklaruar se është me rëndësi që vendi të ndjekë shtegun e afrimit me perëndimit dhe se duhet që të ketë kurs të qartë dhe të vendosur në këtë sferë.

“Ka pasur keqkuptim dhe keqinterpretim të qëndrimeve të mia, duke tentuar ta hedhin qëndrimin tim në rrafshin fetar. Qëndrimi im është në përputhje me agjendën nacionale dhe përcaktimin euro-atlantike të Kosovës. Prioritete të Kosovës janë anëtarësimi në NATO, në BE, në INTERPOL në EUROPOL”.

“Unë i jap përparësi dhe prioritet kësaj agjende dhe e mbështes me të gjitha kapacitetet e mia, natyrisht edhe për të dërguar mesazhin se kemi tolerancë unike. Ky mesazh i qytetarëve të Kosovës duhet të kultivohet dhe të respektohet”.

“Nuk jam i thirrur, as nuk është në mandatin tim agjenda fetare në Kosovë. Nuk jam kundër njohjeve, përkundrazi jam kampion në lobimin për pavarësinë e Kosovës. Sikur ajo organizatë të mos e kishte parashtesën islamike do të ishte ndryshe. Por kur ka parashtesë fetare, atëherë ndryshon menjhëerë”.

“Kam dëgjuar se në këtë organizatë janë edhe Rusia, Mozambiku e shtete të ngjajshme. Por këta nuk janë shembujt më të mirë”.

“Jo që kam thënë, por e mbaj. Nëse Kosova në çfarëdo mënyre bëhet anëtare e organizatave fetare, qofshin krishtere, qofshin islamike, unë largohem menjëherë nga posti”.

“Unë nuk jam zëvendësministër i Behgjet Pacollit, por i Qeverisë të Kosovës. Ai sot mund të jetë, nesër mund të mos jetë. Kryeministër është Ramush Haradinaj dhe unë jam në koalicion qeverisës. Ndaj nuk e kam problem, sepse tjetërkush s’mund as të më shkarkojë, as të më ngarkojë”.

“Ne nuk mund të jemi dashnorë të të gjithëve. Nuk mund të jemi në mëngjes me Amerikën, pasdite me të tjerë. Ne duhet ta kemi të qartë se as SHBA, as NATO, as BE nuk kanë intervenuar në Kosovë për shkak të përkatësisë fetare”.

“Unë nuk merrem me Behgjet Pacollin. Edhe pse kam marrë dhjetëra kërcënime nga personale me qasje radikale islamike, por ato do t’i çoj në polici. Unë e ndaj islamin tradicional nga ai radikal. Unë nuk merrem me Gëzim Kelmendin. Bile më vjen keq të merrem me dikë të nivelit të tij”.

“Jam kundër dhe kategorikisht do të jem kundër anëtarësimit të Kosovës në Organizatën e Bashkëpunimit Islamik”.

“Dihet mirë se Turqia ka dashur t’i shfarosë shqiptarët. Këtë e di edhe fëmija në djep. Por tash për shkak të interesave po i thonë vëlla atij, e vëlla një tjetri. Unë vëllezër nuk i kam ata”.