Ditën kritike, në mëngjesin e 28 marsit 2012, Arbeni së bashku me dy shokë të tij, ishte nisur për në Zvicër, duke shfrytëzuar kalimin zyrtarë të kufirit shtetëror mes Kosovës e Serbisë, në Dheun e Bardhë. Pasi kalojnë në anën serbe të kufirit, dy shokët e tij lirohen ndërsa Arbeni arrestohet nga policia serbe dhe që nga ajo ditë, familja e tij në Llashticë, nuk di më për fatin e Arbenit.

Sipas deklaratës së të vëllait, Driton Murseli, dhënë Zyrës Komunale të Informimit në Gjilan, Arbeni edhe në vitin 2007, po ashtu duke udhëtuar për në Zvicër, ishte arrestuar nga policia serbe, në territorin e Serbisë, me pretekst të falsifikimit të dokumenteve të udhëtimit dhe në ndërkohë, sipas të vëllait, ishte liruar si i pafajshëm.


Familja Murseli nga Llashtica është e shqetësuar, në planë të parë, për mungesën e informacioneve për fatin e Arbenit, ku ndodhet dhe cila është gjendja e tij shëndetësore dhe poashtu, e brengos fakti se në media është dhënë lajmi se shkaku i arrestimit të tij është droga, gjë që familja e tij këtë arsyetim e hedh poshtë kategorikisht, si të pavërtetë. /Telegrafi/