Nuhiu flet pas largimit nga Gjilani: nuk arrita të transmetoj plotësisht atë që dëshiroja
Ardian Nuhiu është larguar nga Gjilani pas më shumë se një viti qëndrim te klubi bardhekuq.
Trajneri shkupjan ka drejtuar Gjilanin në 41 ndeshje zyrtare, teksa ka pasur një mesatare prej 1,34 pikëve për ndeshje.
Dy humbjet e fundit nga Drenica dhe Llapi kanë qenë fatale për të ardhmen e Nuhiut te 'Skifterat'.
Pas largimit nga klubi, Nuhiu ka falënderuar drejtuesit e Gjilanit, futbollistët, stafin mjekësor e ekonomë, por edhe tifozët për mbështetjen dhe besimin.
Nuhiu ka thënë ndër të tjera se ka marrë vendimin për dorëheqje nga respekti i madh që ka për klubin.
"Si njeri që e kam bazuar gjithmonë karrierën time mbi parime dhe vlera, kam vendosur të përfundoj kontratën time. Kam dhënë maksimumin tim në çdo moment bashkë me stafin dhe skuadrën kemi punuar me përkushtim të plotë, por në disa raste ka munguar edhe fati sportiv".

"Besoj se në jetë vlerat, respekti dhe vlerësimi i duhur për situata si kjo kanë më shumë rëndësi sesa thjesht një kontratë. Kam shumë besim te këta djem dhe e di se ata do të vazhdojnë të japin gjithçka".
"Megjithatë, gjatë gjithë jetës sime kam synuar të jem korrekt, i sinqertë dhe i ndershëm, ndaj mendoj se ky është momenti i duhur për të dhënë dorëheqjen".
"E marr këtë vendim nga respekti i madh për një klub kaq të rëndësishëm dhe me histori si Gjilani. Nuk arrita të transmetoj plotësisht atë që dëshiroja për këta djem që kanë dhënë maksimumin në çdo stërvitje, edhe pse në ndeshje mund të kishte pasur rezultate më të mira".
"Dua të falënderoj nga zemra presidentin, drejtorin,drejtuesit menaxherial, stafin tim, stafin mjekësor, ekonomët e klubit , futbollistët dhe tifozët e mrekullueshëm për mbështetjen dhe besimin. Gjilani ka objektiva të mëdha dhe po bën një punë të shkëlqyer për të ecur përpara dhe unë do të jem mbështetës", ka thënë Nuhiu për faqen zyrtare të klubit. /Telegrafi/






























