LAJMI I FUNDIT:

Nostalgjia është Rock’n’Roll

Nostalgjia është Rock’n’Roll

Nga: Tom Kuka

Kozeta është një vajzë që ka mbetur e lidhur me vargonjtë e nostalgjisë. Më shkroi dhe më thotë që do një farë skenari prej meje, madje premtoi se do përpiqej të më paguante.


Unë nuk di të bëj skenar, por më keq akoma nuk bëj dot letërsi me porosi. Por, Kozeta ia doli të më çojë thellë në kohë, kur i ati a e ëma ia vunë emrin kësisoj, se lexonin “Të mjerët”. Do ketë qenë e njëjta kohë, kur e kam lexuar dhe vetë. Në shtëpi kishte pak gjëra për të ngrënë, ndërsa Viktor Hygo e përshkruan fundin e Zhan Valzhanit, i cili ushqehej me dy kokrra vezë të skuqura. U bëra helm, se ne në shtëpi nuk kishim si t’i lejonim dy kokrra bashkë për një njeri të vetëm. Ndaj jam çuar dhe kam shkuar në katin e dytë të banesës sonë popullore. Atje jetonte Albi në një kuvli si kuti shkrepëse, tëpkë si e imja, por ne qemë në kat të parë si çamë që ishim bashkë me sivëllezërit jevgj.

Albi kishte luajtur mendsh. Dëgjonte në një magnetofon “sherebel” një album të Pink Floyd që ia thonin emrin “Ummagumma”. Epo pikë e zezë! Isha një adoleshent që luftoja me puçrrat në banjo, atje ku nana gatuante sillën. Albi me një palë syze, flokëverdhë, i imët dhe rrekej të më shpjegonte se sa të mëdhenj ishin këta që i kishin tingujt si treni i Durrësit; një tani, një pasnesër. Por, Albi ishte shpirt njeriu. Ndërronte kasetën. Vendoste Bruce Springsteen dhe niste të më rrëfente me detaje një serial policesk që e jepte pasditeve italiani. Unë e shihja filmin kështu; ma tregonte Albi. Televizori im më shumë nuk punonte, jo më të kapte italianin. Asaj farë kutije i qe bërë fiksim të digjte llampat. Hajriu, inxhinieri, adashi dhe shoku i ngushtë i babës tim vinte t’i bënte derman, por ato prapë digjeshin. Pastaj duhet të prisnim rrogën, se kushtonin një djall e gjysëm, por im atë i blinte zemërthyer duke thënë: “I sëmurë jam, mbeta mbyllur në shtëpi”.

Prandaj, Albi m’i rrëfente të tëra. Një herë u rrek të më bënte tifoz me Formula 1, por nuk ia doli. As sot nuk i ndjek garat me makina. Por, ai nuk lodhej dhe m’i tregonte që nga “Il mondo di Quark” deri tek “Alo, Alo…”. Kishte mësuar serbisht që të më tregonte mua. Isha i bindur që Albi do të bëhej shkrimtar i madh. Në fakt, sot është bërë bankier i madh.

Pas kaq vjetësh ai jeton në Uashington dhe unë në Tiranë. E lamë të takoheshim në Romë dhe të shihnim koncertin e Roger Waters në “Circo massimo”. Vetëm ne të dy nuk pimë mall, ndërsa mbanim veshur dy bluza të njëjta me thyerjen e spektrit të dritës që është shenja e albumit “The Dark Side of the Moon”. Roger Waters kishte mbetur njësoj si dikur, kur e dëgjonim tek lagjja jonë “21 dhjetori”, të cilën e thërrasim po kështu edhe sot si gozhdë e mbetur në tru nga shoku Veri. Askush nuk ftillohet që 21 dhjetori është ditëlindja e Stalinit.

Nejse, Roger bëri të vetën; na ktheu pas, megjithëse na çau trapin me fjalimet për Palestinën. Unë me Albin qeshnim me lot se kujtonim si e kishim parë filmin “The Wall”. Nuk di se ku e kishte gjetur videokasetën, por na duhej televizori i duhur për ta parë. E sajoi ai, tek shtëpia e një të njohurit të tij që ishte çun sigurimsi. Na i hoqi këpucët tek dera. Hymë në një odë që na u duk e madhe sa një sallon i serialit “Dinastia”. Qilimë të trashë, prandaj na i zbathi këmbët. Kolltukë të rëndë si ato të Bllokut dhe një televizor me ngjyra. Kjo është parajsa!

E vumë filmin, por ai tipi mbeti i zhgënjyer, meqë nuk ishte porno.

– Ej, mirë jeni ju? Nuk është film me t’qime?

– Jo, është film me muzikë – u gjegj Albi. U bë i kuq, se ai sot e kësaj dite është i sjellshëm sikur të ketë lindur në Operan e Parisit, jo në zgëqet e Tiranës.

– Ça thu mer plak? Unë lashë shkollën!

U tulata, pasi isha më i vogli dhe pata frikë që do na linte pa e parë fare. Ula kryet. Vura re që gishti i madh dilte tej çorapes. Nana zakonisht i arnonte të djelën në mbrëmje. Qe e mërkurë.

– Mirë pra shiheni, por me zë të ulët, se na myt plaku po i thanë. Tërhiqeni derën, kur të dilni. Mos prekni gjë.

Iku. Ne u pamë në sy.

– Mos ia qi robt, si shikohet me zë të ulët “The Wall” Albo? – pëshpërita.

– S’ka gjë. Afrohemi te televizori…

Albi është shpirt njeriu. U kujdes që unë të shihja më mirë dhe më përkthente në vesh fjalimin e Pink.

– Ky është Bob Geldof Kelo…

Shumë shumë vjet më vonë, kur shihja në kinema me Hanën time “Bohemian Rhapsody”, goca nuk e besonte që unë e kisha parë 16 orë rresht pa u tundur vendit koncertin “Live Aid”, jo më që e dija se kush ishte Bob Geldof.

– Sa me fat që ishit ju baba! – më tha vajza ime.

Vura buzën në gaz dhe prapë mendja më shkoi tek vezët e Zhan Valzhanit.

Në trend Kultura

Më shumë
Historia e marigonave të Kosovës: Qëndisën flamuj edhe kur ishte e ndaluar

Historia e marigonave të Kosovës: Qëndisën flamuj edhe kur ishte e ndaluar

Kulture
FALJA

FALJA

Poezi
Në Bjeshkët e Rugovës: Një Retrospektivë mbi Poezinë e Azem Shkrelit

Në Bjeshkët e Rugovës: Një Retrospektivë mbi Poezinë e Azem Shkrelit

Analiza
PËR VETVETEN

PËR VETVETEN

Fjala+
PORSI NJË GRUA

PORSI NJË GRUA

Poezi
MUTACIONE

MUTACIONE

Fjala+
Kalo në kategori