Duket se ka paraqitur lajm futja e gjuhës shqipe si lëndë e detyrueshme për studentët e UP-së. Megjithatë, kjo duhet të shihet si domosdoshmëri e vonuar, si një segment i përpjekjeve për të rritur cilësinë e arsimit dhe këtu padyshim që rektori duhet përgëzuar.

Gjuha si mjeti më i përsosur i komunikimit dhe i shpjegimit shkencor, ka pësuar dëme edhe nga koha e gjatë e pushtimit. Në dekadën e mbijetesës së arsimit kur shtëpitë u bënë shkolla, e folura shtëpiake gati-gati u bë normë gjuhësore e ligjërimit, ndonëse pasurimi dhe pastrimi i gjuhës vjen padyshim nga brumi i saj.


Pasojat e standardit të rrezikuar më shumë janë duke u parë në jetën publike, si në të folur ashtu edhe në të shkruar. Sot është vështirë të kesh në dorë një dokument zyrtar të institucioneve shtetërore pa gabime drejtshkrimore.

Dokumentet e lëshuara nga gjykatat shpesh kanë më shumë gabime sesa fjalë, për të mos folur për strukturën e fjalisë. Ndërsa, mjerimi retorik i politikanëve ka bërë shpesh që edhe debati demokratik të mos na duket shumë tërheqës.

Edhe ky debat zhvillohet me mjete gjuhësore si një komunikim ndërmjet ligjvënësve dhe masës për çështje që duhet të prekin këta të fundit. Dhe kjo kulturë masive, paraqitet si kompleksitet ndërmjet kulturës, qytetërimit dhe historisë.

Për moralistin e kohës, Habermas, veprimi komunikues përdor të gjitha mënyrat njerëzore të mendimit dhe të gjuhës. Dhe kur mungon ky debat, shoqëria di të bëhet jo vetëm më pak prosperuese, sepse nuk nxit zgjidhjen e problemit, por madje e bën shoqërinë më agresive si pasojë e mosshkarkimit emocional.

Ata që ndajnë drejtësi shpesh janë interpretues të dobët, avokatë që vërtet kanë mungesë të aftësive bindëse dhe këtu nuk është vetëm problemi i mosnjohjes së normës gjuhësore. Filozofia ligjore parashikon qartësi, rregull dhe formim intelektual, si dhe standarde vlerësimi e frymë kritike, racionale e shpesh morale.

Në këtë kuadër këto ditë kemi qenë dëshmitarë të asaj që tashmë quhet telenovelë zgjedhore dhe paqartësitë që shtohen në interpretimin e ligjeve. Në mesin e procesit të stërzgjatur të zgjedhjeve dhe debateve për to, ajo që qytetari votues ka kuptuar më mirë, është pamundësia për të dëgjuar interpretim bindës dhe të formuluar qartë për hallet e votës së qytetarëve, të testit thelbësor të demokracisë.

Shpesh nuk është kuptuar se cili është interpretimi analitik e cili normativ i ligjit nga vetë menaxhuesit e zgjedhjeve.

Studiuesi Auden këtë gjendje do ta shpjegonte se për ca gjykatës “Ligji është si dashuria”:
Ligji, - thotë gjykatësi i vrenjtur në fytyrë e me hije të rëndë tek flet rreptë e përçart; Ligji, pra është, siç ju thash edhe më herët;
Ligji d.m.th., siç e dini edhe vetë;
Është, që t’jua shkoqis edhe një herë;
Shkurt fjala: Ligji është ligji.