LAJMI I FUNDIT:

Njohësit e çështjeve të sigurisë: Shtyrja e votimit për aplikim në INTERPOL, pasojë e lobimit të dobët të Qeverisë dhe MPJ-së

Njohësit e çështjeve të sigurisë: Shtyrja e votimit për aplikim në INTERPOL, pasojë e lobimit të dobët të Qeverisë dhe MPJ-së

Kryeministri në detyrë i Kosovës, Ramush Haradinaj, ka kërkuar shtyrjen e votimit të Kosovës për anëtarësim në INTERPOL vitin e ardhshëm. Sipas njoftimit për media, Haradinaj e ka marrë këtë vendim për shkak të rrethanave të krijuara në vend.

“Kryeministri në detyrë i Republikës së Kosovës, Ramush Haradinaj, duke marrë parasysh rrethanat e krijuara, bazuar në kompetencat e tij si kryeministër në detyrë dhe nga rekomandimi i Ministrisë së Punëve të Jashtme, sot ka kërkuar shtyrjen e votimit të Kosovës për anëtarësim në INTERPOL për vitin e ardhshëm”, thuhet në njoftim.


Qeveria e Kosovës kërkon shtyrjen e votimit për aplikim në INTERPOL
Lexo po ashtu Qeveria e Kosovës kërkon shtyrjen e votimit për aplikim në INTERPOL

Këtë vendim të kryeministrit në detyrë, Ramush Haradinaj, nuk po e sheh të arsyeshëm njohësi i çështjeve të sigurisë Nuredin Ibishi.

Në një deklaratë dhënë Telegrafit, Ibishi, ka thënë se kërkesa e Qeverisë për shtyerje të aplikimit në INTERPOL është për shkak të dështimit të tyre.

Sipas tij kjo kërkesë është shkak e mos punës së Qeverisë dhe Ministrisë së Punëve të Jashtme.

“Lobimi nuk bëhet brenda disa ditësh por lobimi bëhet gjatë tërë vitit. Pra më shumë kanë lobuar serbët për ta penguar anëtarësimin tonë, se sa ne që kemi bërë për vete për t’u anëtarësuar në këtë organizatë. Andaj mendoj që deklaratat e Qeverisë janë të pasinqerta, e sidomos nga MPJ e cila plotësisht ka dështuar, dhe duke e parë mo spunën e saj ku nuk do të ketë votat e mjaftueshme 2/3 atëherë mënyra më e mirë është që të tërhiqen”, ka thënë ai.

Inishi ka thënë se ky është dështimi i radhës për Kosovën, pasi që sipas tij edhe herën e kaluar kishin dështuar organet kompetente në lobim.

“Ka ndodhur edhe një shtyerje e mëhershme, me sygjerim të ndërkombëtarëve, e po ashtu edhe tani. Ata e kanë parë se nuk është lobuar sa duhet dhe si duhet. Pra kjo është një prej dështimit të radhës, ndërsa realisht në rastin e kaluar janë harxhuar një milion e 200 mijë euro dhe i kanë arsyetuar të hollat që i kanë shpenzuar në atë lobim të dështuar. Ndërsa tani nuk kanë bërë asgjë dhe nuk kanë pasur edhe çka harxhojnë. Por, kanë marrë vendim për të cilën e kanë ditur që do të vije dështimi i radhës. E gjithë kjo vie nga një rasti në rastin tjetër”, ka theksuar ai.

Ndryshe nga Ibishi, njohësi i çështjeve të sigurisë, Avni Islami, thekson se vendimi i Qeverisë për shtyerje të aplikimit për anëtarësim në INTERPOL, është i duhur.

Islami në një deklaratë dhënë Telegrafit ka thënë se pasi që Kosova në kushtet dhe rrethanat në të cilat gjendet në fushën ndërkombëtare nuk i ka numrat e mjaftueshëm që të bëhet pjesë e INTERPOL-it, atëherë sipas tij vendimi i Haradinajt është i drejtë.

“Duke pasur parasysh që Serbia me anë të miqeve të saj, pra Rusisë, Kinës dhe disa aleatëve të saj, kanë lobuar fuqishëm që Kosova të mos jetë pjesë e kësaj organizate, ky vendim për shtyerje të aplikimit është i drejtë. Po ashtu duhet të kemi parasysh që ka shtete që e kanë njohur Kosovën dhe ishin kundër anëtarësimit të Kosovës në INTERPOL në samitin e fundit, asgjë nuk ka ndryshuar esencialisht. Andaj Kosova nuk duhet të bëjë kërkesë për anëtarësim kur matematikisht nuk i ka numrat e mjaftueshëm”, ka thënë ai, duke shtuar se kjo është si rezultat i lobimit të dobët nga MPJ.

“Kjo ngase politikat e jashtme të Kosovës deri më tani kanë qenë të dobësuara, dhe MPJ me Presidencën nuk kanë lobuar e as nuk kanë punuar mjaftueshëm që Kosova t’i ketë numrat në samitin e ardhshëm ku do të aplikonte per INTERPOL. Pra për aplikim duhet të presim të konsolidohet Qeveria e cila do të vije e formuar nga LVV-LDK. Mendoj që me ardhjen e kësaj Qeverie dhe udhëheqjen e shtetit, Kosova do të ketë një fillim të mbarë dhe për herë të parë do të kemi një politike unike, qoftë në arenën ndërkombëtare apo të brendshme. Shpresoj që me programet që i ofron koalicionin LVV-LDK do të kemi një punë intensvie që do ta kurorëzojë anëtarësimin e Kosovës në INTERPOL në mbledhjen e radhës”, është shprehur ai.

Mediat serbe shkruajnë se Kosova tërheq kërkesën për anëtarësim në Interpol, Qeveria e Kosovës pa përgjigje
Lexo po ashtu Mediat serbe shkruajnë se Kosova tërheq kërkesën për anëtarësim në Interpol, Qeveria e Kosovës pa përgjigje

Kujtojmë se Kosova kishte aplikuar për pranim në INTERPOL në janar të këtij viti dhe kërkesa e saj ishte pranuar nga Komitetit Ekzekutiv i INTERPOL-it.

Kosova edhe këtë vit ia kishte mësyrë anëtarësimit në Organizatën Ndërkombëtare të Policisë (INTERPOL), Asambleja e Përgjithshme e së cilës, mban punimet prej 15 deri më 18 tetor në Kili. Nikoqiri i sivjetmë i Asamblesë së Përgjithshme të kësaj organizate, ditë më parë ua ka dërguar ftesat zyrtarëve të Kosovës, për të marrë pjesë në takimin vjetor të 88 të vendeve të kësaj organizate.

Ndërsa tentativat e Kosovës për anëtarësim në INTERPOL kanë nisur që nga viti 2010. Atë kohë, Komiteti Ekzekutiv i kësaj organizate, nuk e kishte marrë fare parasysh kërkesën e parashtruar nga Prishtina zyrtare. Më 2015 dhe 2016, Kosova kishte aplikuar, por nuk ishte futur në agjendën e Asamblesë së Përgjithshme. Më 2017, Kosova pati tërhequr vullnetarisht kërkesën, për shkak të mbështetjes së pamjaftueshme./Telegrafi/