Nga: Ardian Ndreca
Kur nji që s’ka asnji lloj haberi nga historia fut hundët në histori, asht e vështirë me u marrë me atë çka ai shkruen tue shpërfillë se kush asht individi që shkruen.
Së pari nuk asht aftësia me fotokopjue dokumenta në arkiva që të shndërron në historian. Historia asht reflektim dhe jo renditje, asht atribuimi i nji arsyeje që ka shkaktue ngjarjet dhe jo shikimi i pjesshëm i dokumenteve të hequna prej kontekstit.
Tukididi, ndër të parët mjeshtra të historishkrimit shihte tek ajo ecjen përpara, ndryshimin, zhvillimin unitar të arsyeve kundërshtare që ushqejnë historinë. Historia nuk bahet tue lidhë shtërngueshëm me gjalmën hemostatike ndonji gjymtyrë të njerzimit, pse s’do të vonojë e do të nxihet. Historia nis me lirinë e njeriut dhe i përket sferës së lirisë; ajo përcakton vijimsinë shpirtnore që asht nji prej karakteristikave kryesore të historicitetit të jetës sonë. Vijimsi nuk do të thotë magaze gjymrykut, mëni, dëshirë me gjykue në mungesë të dritës së arsyes historike, por kuptimi i së shkuemes në dritën e së tashmes në nji rrjedhë kohore që s’ndalet asnji çast – kështu e përçanson Marc Bloch. Pra, s’asht rrëfimi i së shkuemes por kuptimi i saj filozofik.
E kam të qartë se i gjithë ky diskurs asht krejt i kotë po t’iu drejtonte personave që s’kanë asnji lloj kulture historike dhe asnji lloj kulture në vetvete, por hyjnë në arkiv siç hyhet në nji dyqan cikrrimash. Me i ra Auron Tares asht si me bombardue Kryqin e Kuq, pse ai asht i armatosun me disa fotokopje që s’din si lexohen, si janë prodhue, cilit kontekst historik i përkasin, çka shprehin etj. Edhe ato pak gjana që ai i din, i len në nji anë, pse tendosja e gjymtyrëve që ia mundësojnë shkrimin i diktohet jo nga arsyeja historike por nga tara historike, ajo që dikur mbante peshën e vdekun të diktaturës mbi supe. Edhe vetë Tarja, i përgatitun me sulmue dhe me mbrojtë atdheun socialist, nji herë të vetme që rroku armën e doli sheshit ishte me ia drejtue disa shqiptarëve tjerë.
Çka me i njohtë ma vonë Tares? Sukseset në betonizimin e Butrintit si përgatitje për ndonji sulm të desantit ajror?
Me shkrue nji studim për me hjedhë poshtë Taren asht nji marri kolosale, pse tek nji që hedh poshtë arsyen s’ke çka me tëhuej. Madje un s’kam asgja kundër tij, ai asht shembull sesi instinkti asht verbësisht i pagabueshëm. Bile un kam respekt për Taren që prej maje mushkës kundron universin. Kur ulet prej mushkës respekti jem përgjysmohet pse dalloj krijesën e mirërealizueme prej nji tjetre diçka ma pak të arritun.
Gjithsesi Tarja nji të mirë ia bani padashtë si Koliqit si Camajt, asht ajo “dredhia e arsyes” për të cilën flet Hegeli, e cila mbërrin me përdorë me pavetëdije edhe mushkun për me realizue gjana të epërme, në këtë rast njerëz që s’lexonin kahmot kapën në dorë Camajn dhe Koliqin.
Koliqi dhe Camaj bashkëpuntor të shërbimeve të hueja! Po, kanë bashkëpunue gjithë jetën kundër atij regjim që s’e kanë njohtë të ligjshëm – ashtu si ShBA e shumë vende tjera, dhe së bashku me shumicën e njerzve me ndjenja demokratike në botë e kanë konsiderue antikombtar, çnjerzor dhe kriminal.
Disa nga hilet e Tares qëndronin në nji riprodhim të nji dokumenti ku Camaj rezultonte se kishte firmosë, e mandej Koliqi hamendësohej të kishte bashkëpunue edhe me KGB-në, pse që ishte fashist e dinim me kohë ashtu siç e dinim se Tarja dhe mushka janë binom i pandashëm.
Dokumentet e CIA-s janë përplot me pasaktësina, madje edhe me marrina, me thashetheme, me budallalleqe. Po të mos dijsh me i lexue, me i kryqzue me të tjera, me i kontekstualizue, me to nuk mund të shkruesh historinë. Deri në vitin 1976 për shembull CIA kujtonte se Rita Marko ishte grue, e pra në gjendje civile ka rezultue burrë deri në fund! Agjensia ka vjelë informacion prej gjithkujt, por për fat vendimet janë marrë nalt dhe jo prej atij që ka firmosë informacionin.
Po dokumentet e Sigurimit si janë prodhue? Vetë Partia, domethanë pesha e vdekun në supet e Tareve, e ka zhbi disaheresh Sigurimin, pse nji grup kriminelash sado besnik me qenë herë mbas here duhen krasitë. Prej te Koçi Xoxe deri te Feçor Shehu, Sigurimi ka marrë mjaft barashka të meritueme.
Sot simbas Tares, Sigurimi i Shtetit duhet të jetë të paktën bashkëautor i nji historie të re të letërsisë shqipe ku t’i besohet shkrimi i kapitujve ma pikant të saj.
Ne e mendojmë ndryshe. Vlera e atyne dokumenteve duhet relativizue tue u nisë prej besueshmënisë, inteligjencës dhe etikës së institucionit që i ka prodhue. Kjo që them do t’i vinte për mbarë edhe vetë Tares, pse edhe ai ka qenë subjekt gjykimesh i asaj haleje. Por, sot, Martin Camaj nuk asht mes nesh për me u mbrojtë për atë firmën e hjedhun para oficer Kapisyzit, kurse Tarja mundet me spjegue dhe me u mbrojtë.
Po të mos ishte për atë krahun me të cilin u rreshtuen pa ngurrue si Koliqi si Camaj, Tarja vetë sot do të ishte tue i ba fresk ndonji kundërajrori të ndryshkun tue pritë me veshë ngrehë tartarët si ai personazhi i Dino Buzzatit.
Tarja s’mund ta dijnë, pse as skuthët që ia kalojnë kontrabandë dokumentet s’e dijnë për vete, se koloneli i UDB-ës, Çedo Mijoviq, kërcënonte të gjithë ata që tregonin kokëfortësi, se mbrenda 24 orësh do të dorëzoheshin në Han të Hotit dhe koloneli malazez ishte njeri që e mbante fjalën dhe madje e fliste shqipen rrjedhshëm. Disa bashkëpunonin pse donin me dalë sa ma parë në Perëndim, të tjerë se urrenin regjimin e Tiranës, e të tjerë pse ishin të lidhun historikisht me Jugosllavinë. Janë kategori të ndryshme që s’i lidh asgja, përveç fatit që ishin në duert e Çedo Mijoviqit apo të majorit Kaplar Luboviq!
Nji tjetër problem asht Autoriteti i Dosjeve, të cilin e kanë kthye në nji han pa dyer në shërbim të po asaj pale që i ka prodhue ato dokumente. Dielli me shoshë nuk mbulohet dhe sado të mundohen nuk mund të zhbajnë faktin se Tare ka botue dokumentet para se me firmosë proceverbalin dhe me marrë zyrtarisht në dorëzim dosjen në fjalë. E gjithë kjo të ban me mendue se farsa e hetimit të mbrendshëm asht vetëm hi syve dhe se paaftësia me drejtue nji institucion të tillë nuk mund të tolerohet ma asnji çast, pse aty ruhen edhe dokumente me randësi për sigurinë tonë kombtare.
Nji përgjegje e meriton edhe miku Primo Shllaku që më drejtoi nji letër publike si antar i Akademisë. Jam antar i jashtëm, madje si i tillë s’kam shkelë ende në Akademi. Kur kam hy në Akademi nuk kam hy si me qenë tue hy në parti, madje jo të gjithë më kanë votue për me më pasë si koleg. Kjo asht liria, do të durojmë edhe ata që e mendojnë ndryshe, tue përfshi edhe Taren!
Un kur mendoj Akademinë, kam parasysh atë institucionin që themelonte Leibniz kudo në Europën e 1700 (këtu Tarja mund të përfitojë nga erudicioni i Primo Shllakut për me e ngritë nivelin kulturor).
I dashtun Primo, Akademia – veçan ai seksion që më përket mue – nuk asht kongregata e shejtënve, nuk asht roja e vlerave të nji shteti etik, ne s’duhet të vendosim sanksione për ata që s’e pëlqejnë apo që e prozhmojnë Koliqin dhe Camajn, Akademia nuk boton vademekum shijesh artistike dhe s’jep direktiva politike!
Jo, kurrsesi, pse ndryshe kthehena ku ishim dhe ti e din se nuk ishim mirë! Un kam hy në Akademi si nji individ i lirë në nji shoqni të lirë, nëse bindjet e mija nuk do të përkojnë me qëndrimet zyrtare të Akademisë këtë nuk kam me ngurrue me e shprehë publikisht, kjo ndodh kudo. Ti je njeri i lexuem dhe e din mirë se Akademisë nuk mund t’ia diktojë agjendën nji ish kapter, sado që ma vonë e ka la vedin në lamije të arkeologjisë nënujore! Po të ishte si thue ti atëherë Akademia do të duhej të vendoste në agjendë edhe përgjegjet për marrinat e ndonji të ndërkryemi që atje tek ju ban shkencë okulte me kovid-19 – siç ban Tarja me fotokopjet e tija.
Koliqi dhe Camaj s’duhet me i pëlqye gjithkujt me detyrim, aq ma pak jeta e tyne private e cila nuk merr fund me nji gjest apo me nji akt të vetëm.
Koliqi fashist? Po edhe presidenti i parë i Shqipnisë komuniste ka qenë ithtar i fashizmit, ka nënshkrue artikuj pro fashizmit, edhe Nexhmija Hoxha ka qenë antare e rinisë fashiste madje ka vijue e tillë deri në vdekje, pse ngjyra e krimit nuk ndërron substancën e tij.
E vetmja gja që mbetë asht se mushka e Tares nuk mund të gjykojë përjetsisht Koliqin pse koha gjatë së cilës ai ka qenë fashist asht jodomethanëse përpara aktivitetit të tij global. Koliqi dhe Camaj i përkasin nji tradite kulturore që ka përfaqsue potasin e lëvizjes kombtariste në Shqipni, kurse ata që e kanë gojën me myk edhe kur e shqiptojnë emnin e tyne kinse me respekt u ndihet duhma prej larg.
Kam shkrue jo me ton akademik pse landa që u mora s’ka asgja akademike dhe nuk m’u duk me vend me i shpenzue akademizmat për mushq, akademizmat i lamë për nji herë tjetër!
Lufta Prigozhin - Putin
Më shumë104.5m² komfort – Banesë luksoze me pamje tërheqëse për zyret e juaja
Investoni në të ardhmen tuaj – bli banesë në ‘Arbëri’ tani! ID-140
Shitet banesa në Fushë Kosovë në një vendodhje perfekte – 80.5m², çmimi 62,000Euro! ID-254
Ideale për zyre – në qendër të Prishtinës lëshohet banesa me qira ID-253
Bli shtëpinë e ëndrrave tuaja në Prishtinë – ZBRITJE në çmim, kapni mundësinë tani! ID-123
25% zbritje në çizmet Adidas Terrex? Zgjate dorën!
Hej djem! Super xhaketa e Adidas tani vjen me zbritje ekskluzive vetëm për ju
Atletet e famshme Reebook vijnë me zbritje t’hatashme
Kreativiteti i fëmijëve tuaj fillon me këtë tabelë të zezë nga Vitorja – Përfitoni 20% zbritje ekskluzive
A don me u dok si zotni këtë sezon të dasmave?
Më të lexuarat
Nëse ndeshja me Rumaninë nuk sjell tri pikë: Rivalët e mundshëm të Kosovës për play-off, mes tyre edhe Shqipëria
Faktet më të çuditshme që mund të mos i dini për Elon Musk
Pas vendimit të Bidenit për ta lejuar Ukrainën t’i përdorë armët amerikane në Rusi, reagon Zelensky
“Më mirë të më shajnë nënën, sesa të këndojnë “Serbi, Serbi”” - Llullaku shpjegon për mediat rumune se pse lojtarët e Kosovës vendosën të largohen
“Do thyejmë të gjitha rekordet”, Ronaldo thotë se mysafiri i tij i radhës në YouTube është më i famshëm se ai
“E dimë si ke shkuar në finale” - përplasje në mes të Edona James dhe Santianës live gjatë emisionit