LAJMI I FUNDIT:

Një Vidovdan pervers

Dikur mund të ketë qenë një festë fetare, e përkujtuar me përvuajtje e krenari, e cila iu ka shërbyer si burim frymëzimi patriotik, edhe pse popujve të Ballkanit dhe veçanërisht shqiptarëve të Kosovës i ka sjellë vetëm tragjedi. Por sot, kur këtyre tragjedive iu është vënë kapaku, festimi i Vidovdanit i ngjan më shumë një proteste njerëzish të frustruar që nuk dinë çfarë të bëjnë me veten e tyre.
E kur nuk dinë çfarë të bëjnë, ia mësyjnë Kosovës, me qëllimin e vetëm për të provokuar ndjenjat e shqiptarëve, e madje edhe nervat dhe durimin e tyre. Pamjet e kësaj feste, ku u bë thirrje për vrasjen e shqiptarëve, ku u dogj flamuri në shtëpinë e tyre, e madje gazetarëve iu nxorën prapanicën, nuk është tjetër veçse një frustrim që tashmë ka kaluar në perversitet.

Ky lloj frustrimi nacionalisto-politik po vjen duke u rritur nga një 28 qershor në tjetrin dhe shqiptarëve në Kosovë nuk iu mbetet tjetër veçse në këtë trend të ruajnë gjakftohtësinë e të mprehin mendjen që të shmangin ndonjë “Franc Ferdinand” në tokën e tyre. Banorët e Kosovës, përfshirë edhe serbët autoktonë që kanë vendosur ta kalojnë jetën e tyre këtu, nuk kanë pse të ndihen keq nga veprime të tilla. Keq duhet të ndihen ata që këtyre të rinjve ua kanë mbushur mendjen me përralla dhe i kanë dërguar me misionin për të dhunuar kulturën e mikpritjes, respektin për fenë e tyre dhe monumentin që adhurojnë. Kaq sa i përket një manifestimi pervers për të cilin Shën Vidovdani me siguri nuk do të ndihej krenar.


Ngjarja bëhet serioze kur vijmë tek çështja e sigurisë.
Në Kosovë ka së paku dhjetë vjet që fjala stabilitet është kryefjala e çdo veprimi. Në emër të tij që në fillim janë lënë të lirë kriminelët serbë të luftës, në emër të tij nuk është ndërtuar sistemi gjyqësor, në emër të tij janë futur në një thes pozita dhe opozita, në emër të tij nuk është bërë regjistrimi i popullatës që të merret vesh një herë e mirë se kush është banor i Kosovës e kush jo, në emër të tij janë lënë të zhvillohen zgjedhjet serbe në territorin e Kosovës, janë lënë të lirë peshqit e mëdhenj të krimit dhe korrupsionit, në emër të tij janë mbyllur sytë për fenomenet më të këqija të pasluftës dhe tranzicionit, në emër të tij është lënë të rritet e të lulëzojë mbretëria e krimit në veriun e Kosovës.
E kur jemi te mbretëria e krimit, duhet të përmendin grupet e armatosura që herë pas here destabilizojnë këtë pjesë, shërbimet sekrete, institucionet paralele që në të shumtën e rasteve shërbejnë si mbulesë për veprime të tjera të jashtëligjshme, makinat e paregjistruara, kontrabandën, dokumentet false, pastrimin e parave… e lista do të zgjatej e zgjatej. Pra sakrifica të pafundme gjatë rrugës së ndërtimit të një shteti ku do të duhej të sundonte ligji, vetëm e vetëm për të blerë një lloj paqeje e cila në fund të ditës, nuk ka si të dalë ndryshe veçse e rreme.

Në emër të stabilitetit Policia e Kosovës nuk ndërhyri kur serbët klithnin në mënyrën më provokuese të mundshme, se do t’i vrasin shqiptarët, apo kur dhunuan simbolin e shtetit të Kosovës, flamurin. Sepse turma e tërbuar priste një shkëndijë, për të ndezur më pas një zjarr që do të dëmtonte imazhin e Kosovës.
E gjithë kjo skenë sepse dikush tjetër kish vlerësuar se këta persona, mes tyre edhe një kryetar i veteranëve serbë të luftës së Kosovës, i cili është një nga kriminelët e mundshëm të luftës, kanë të drejtën e lirisë së lëvizjes nëpër territorin e Kosovës dhe atë të vizitës nëpër monumentet historike apo kultet fetare.

Në kundërshtim të plotë me "logjikën e stabilitetit," për vite më radhë, UNMIK-u dhe tashmë edhe EULEX-i predikon lirinë e lëvizjes për serbët e Serbisë, si një e drejtë që ka supremaci mbi të gjitha të tjerat. Për shkak të kësaj supremacie, zyrtarë të lartë serbë hyjnë në Kosovë e bëjnë politikë si në shtëpi të tyre, zhvillojnë zgjedhje, bëjnë biznese të paligjshme, shpërlajnë para, provokojnë.
Për shkak të kësaj supremacie qytetarët serbë nga Serbia lejohen të hyjnë në territorin e Kosovës, edhe nëse ata janë grupe tepër provokuese për sigurinë si ai i Car Llazarit, lëvizja ultranacionaliste "1389," apo qindra motoristët të cilët erdhën me të njëjtin mision, provokimin dhe vetëm provokimin e shqiptarëve.

Nuk dihet në çfarë peshoreje i kanë vënë këto dy gjëra EULEX-i dhe Ministria e Brendshme e Kosovës, por një gjë është e sigurt, se situata i është lënë në dorë vetëm rastësisë. Analizat e këtyre dy institucioneve në lidhje me çështje të sigurisë kanë injoruar një version krejtësisht të mundshëm të "festimit të Vidovdanit". Ta zëmë në vend të gurëve që u hodhën mbi motoristët, dikujt do t’i ishte mbushur mendja të shkrepte një AK-47, të cilët janë ende me shumicë në duart e banorëve. Ose ndërsa serbët e frustruar me tre gishtat përpjetë çirreshin se do t’i presin në fyt shqiptarët, ndonjë nga këta të fundit, gjaknxehtë ose disa nga këta të fundit, gjaknxehtë, të binin pre e provokimit dhe me një teknologji shumë më të avancuar se thika të bënte ndonjë akt të nxituar…
Kush do ta mbante përgjegjësinë në këto raste, policia e EULEX-it apo Policia e Kosovës? Me siguri faji do të mbetej jetim, për të garantuar kështu vazhdimësinë e traditës dhjetëvjeçare të ikjes nga përgjegjësia.

EULEX-i, i cili i mban në duart e tij përgjegjësitë për pikat kufitare 1 dhe 31, jo vetëm që po tregohet apatik, por edhe shumë hileqar. Pikërisht si administratë e mëparshme e OKB-së e cila gjatë 8 vjetëve të saj në Kosovë nuk u mor asnjëherë seriozisht me çështjen e veriut. Është e vështirë të besohet se një grusht kriminelësh ordinerë, edhe pse kanë mbështetjen e disa subjekteve politike të Beogradit apo dhe vetë Qeverisë, që mbajnë peng veriun janë të pamposhtur.
Është vështirë të besohet se deri më tani nuk paska pasur asnjë mënyrë për të kontrolluar kufirin në veri, hyrjen dhe daljen e njerëzve të dyshimtë. Ashtu sikurse është e vështirë të besohet se nuk paska asnjë rrugëdalje për të futur në sistem një popullatë prej 80 mijë banorësh, shumica e të cilëve ndihen të shantazhuar nga lordët e kontrabandës. Kufizimi i lirisë së lëvizjes, në emër të sigurisë mund të kishte qenë dhe të jetë një nga mënyrat. Këtë e praktikojnë edhe shtetet më demokratike në botë, kur ndihen të kërcënuar. Edhe kësaj here, e gjithë merita që situata nuk doli jashtë kontrollit u takon qytetarëve të maturuar të Kosovës.

(Autorja është analiste në gazetën Kosova Sot)