Një Tony Blair për Kosovën
Megjithëse shumë më interesante do të ishte sikur z. Tony Blair ta vizitonte Kosovën kur ishte kryeministër i Britanisë së Madhe, dy ditët e qëndrimit të tij në Kosovë rishtazi sollën një njeri që politikën e njeh nga brenda, dhe që me porositë e veta që i la në Kosove, janë pa mëdyshje margaritarë të çmuar në hartën politike të Kosovës me politikë të brishtë.
Z. Blair, në vendin e tij, njihet si një politikan i madh. Ai fitoi tre palë zgjedhje për partinë e tij, arriti që gjatë kohës që ishte kryeministër, jo vetëm të stabilizonte ekonominë e çoroditur që e kishte lënë qeveria e John Majorit, por edhe bëri që ngritja ekonomike në këtë vend ishullor të arrijë deri në 7.9 % në vit.
Kur e pa se qëndrimi i tij në qeveri për një dekadë si udhëheqës kishte arritur kulmin, ai me një burrëri të pa shoqe u largua duke ua lënë vendin forcave tjera dhe ideve më të ndryshme që dominonin në partine e tij Laburiste. Të freskët e kam kujtimin kur në Parlamentin Britanik ai iu drejtua deputetëve me fjalët: “Kaq ishte, Lamtumire!”
Nga politika e tij, e cila çlirimin e Kosovës e ka si kryefjale (me gjithë shkarjet me intervenimin në Irak, që u dëshmua të jetë lufte më pak popullore nga populli britanik) z. Blair mbetet një figurë emblematike edhe kombëtare edhe ndërkombëtare. Për këtë, ai edhe është deleguar si negocues paqësor i OKB-së, SHBA-ve, BE-së dhe Rusisë për Lindjen e Mesme.
Pra, vetit e tij janë të shumta, por çështja është se a mund të gjendet në mes të shqiptarëve në përgjithësi, dhe në Kosovë ne veçanti, një politikan i tillë vizionar, vendimmarrës, sypatrembur, guximtar dhe mbi të gjitha falës i madh. Në kohën që jetojmë, këto veti të një lideri me përmasa globale janë shumë të pëlqyera për vendin tonë, ku politika fyese, grindavece dhe qorre ia ka zënë vendin politikës se mirëfilltë të zgjidhjes së problemeve dhe dhënies së mundësive, për çka edhe duhet të shërbejë.
Në qoftë se një Tony Blair nuk e gjejmë dot në mesin e politikes miope në Kosovë, së paku të shpresojmë se shumë nga vendimmarrësit tanë i kanë marrë me zemër këshillat e tij, miqësore dhe qëllimmira.
(Autori është pedagog në Fakultetin e Shkencave Politike në Universitetin Glasgow, Britani e Madhe, bashkëpunëtor i Qendrës për Studime të Evropës Lindore në Glasgow, hulumtues shkencor në Universitetin e Varshavës, studiues i brendshëm në Universitetin Newcastle dhe anëtar korrespondent në Qendrën për Studime Strategjike në Londër)



































