Është ora rreth 09:00 e mëngjesit. U paraqit në punë, si ditët e tjera. Është i lumtur, megjithëse kurrë nuk ia ka ditur vlerën lumturisë. Punon në administratë. Po! Po! Është një nga ata personazh, që s’mund të bëjë tjetër, veçse të vegjetojë në zyra të tilla.

Jeta i ka rrjedhur vaj. Shkollën e lartë e kreu që nga fillimi e gjer në fund, ja ashtu, pa pikë mundimi. S’i ka interesuar ndonjëherë shkolla, paratë mbase po. Ca ndërhyrje të fuqishme, e ndihmuan të “çante” në jetë. Po, përveç kësaj, mbi të gjitha është militant (sa i vërtetë, kjo është çështje tjetër). I ka “shërbyer” partisë. Dhe ja ku erdhi edhe momenti i tij. Edhe këtë të enjte, ashtu si çdo ditë tjetër, u zgjua në mëngjes për të shkuar në punë. S’ka as dëshirën më të vogël, megjithatë e merr lehtë këtë situatë.

Meqë se ka vrarë mendjen kurrë, nuk ka se si ta vrasë tani. U paraqit në zyrë. Vështroi rreth e rrotull. Sa ironike! Kompjuteri në njërën anë dhe laptopi në tjetrën. I vështroi! Asnjë ide nuk i erdhi në mendje, ashtu sikurse të gjitha ditët e tjera. Pyeti për shefen në kishte ardhur apo jo. Ishte një nga ato pyetjet e zakonshme që bëhet çdo mëngjes në zyrat e shtetit.

Pa që nuk kishte çfarë të bënte, teksa nisi negociatat për të shkuar në kafene. Kolegia në zyrën përballë, ishte pak e zënë dhe kafja për të vinte andej nga dreka. Nuk kishte ç’bënte “punëtori” ynë! I zbriti ngadalë shkallët dhe doli tek dera kryesore. Për fat, as roja nuk po dukej asgjëkund për të shkëmbyer ndonjë batutë për femrat, ashtu siç bën rëndomtë. I shtriu krahët për t’u shpirë. E liroi paksa kollaren, pasi temperatura e lartë ishte një tjetër problem që po e shqetësonte. Mendoi për një çast. Më e rëndësishmja për të, ishte “vrasja” e kohës.

Ç’të bënte i riu ynë?! Në fund të fundit, ofiqet janë pjesë e korrupsionit njerëzor. Ai s’ka bërë asnjë mëkat! Ju e akuzoni?! Më mirë jo. Rendi në oborrin e institucionit, e më në fund mori vendimin: Shkoi në kafe i vetëm. Një shpresë e shoqëronte vazhdimisht që dikush do e shoqëronte. Kolegu nuk kishte ardhur ende. Lutej me vete që telefoni të mos binte, të paktën nga gazetarët. I urren! “Ata bëjnë gjithmonë pyetje të vështira”-ankohet shpesh tek kolegu.

E kush tha që ka faj? Gazetarët vërtetë mund të bëjnë pyetje, por për personazhin tonë pyetjet sido që të jenë nuk mund të kenë kurrë përgjigje. Çdo telefonate i përgjigjet me plot mirësjellje. Gjithçka e kryen brenda një çasti. E megjithatë, prapë punën pisk e ka me gazetarët. Të gjithë gazetashkruesit ankohen për të. Ata kanë pyetur, por kurrë nuk kanë marrë përgjigje. I “lumturi” ynë nuk është shumë i shqetësuar për këtë. Meqë ka njohje me shefen dhe mbi të gjitha është militant partie, s’ka asnjë arsye përse të shqetësohet. Qëndroi më shumë se një orë në kafene.

Kolegu e mori në telefon që do të vinte pak më vonë. Por më përpara, e pyeti në kishte ndonjë të re nga institucioni. “Jo! asgjë të re”- iu përgjigj. Eh-vijoi kolegu- për ty kurrë nuk ka pasur të reja. Personazhi ynë nuk u shqetësua për këtë. Qeshi, teksa i uroi mirëseardhjen, duke shtuar se kjo ditë nuk po shtyhet fare. U kthye sërish në zyrë. Ndezi kondicionerin; hapi laptopin. Të paktën kompjuterin e dinte, sepse ka pasion Video Games.

Në postën elektronike i kishin ardhur disa pyetje nga gazetarët. “Këta do më çmendin”,-tha me vete. Disa iu ktheu përgjigje se do të dërgonte më vonë informacionin e kërkuar, e disa të tjerëve nuk iu ktheu fare përgjigje. Më vonë, për të është kurrë. E kështu, kaloi edhe disa orë duke u marrë me kompjuterin. Rreth e rrotull as që interesohet se ç’bëhet. Se ka ditur ndonjëherë. Ah, as kurioz nuk është bërë kurrë. Shtypin rrallë herë e lexon. Vetëm kur në faqe të parë del ndonjë skandal me shkronja të mëdha për institucionin e tij, i tërheq pak vëmendjen.

Merr nja 700 e ca mijë lekë rrogë. Ka pak ankesë për këtë, por ndihet mirë gjithsesi. Makina e pret jashtë. Ndryshe nga paraditja dhe dreka, pasditja është krejt tjetër për të. Një pjesë të sajën ia kushton dashnores dhe më vonë gruas në shpi. E martuan të mjerin! Është i lumtur edhe me martesën.

Sikur shteti të ishte njeri, do bërtiste fortë nga të tillë parazitë. Ai është i kënaqur me shtetit, shteti as që diskutohet. Shteti kapitalist i urren të tilla specie. Ju e dini fort mirë, por s’ke forcë për të ndryshuar situatën.

(P.S personazhi është zëdhënës në një institucion të lartë shtetëror)